Retorika e ashpërsuar e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në këto 10 ditë të fushatës parazgjedhore duket se shqetësuar faktorin ndërkombëtar.
Sulmet e pandërprera ndaj dy partnerëve të koalicionit qeverisës – BDI dhe LSDM kanë detyruar ambasadorët e vendeve mike në Maqedoni të analizojnë se çfarë po kërkon Sela dhe sa realisht mund të dëmtojë Qeverinë që, me aq investim të madh, ndërkombëtarët po mundohen të ec përpara Qeveria e Zoran Zaevit.
Burime diplomatike thonë se Sela, duke e vlerësuar më shumë se sa duhet fuqinë e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, tani po tregon shenja nervozizmi, sidomos pas bashkëpunimit të ngushtë BDI-LSDM në këto zgjedhje lokale.
”Shqetëson fakti se LR-PDSH tashmë ka nisur të ashpërsojë fjalorin në fushata dhe kjo na bën me dije se ai, po ndjen shenjat e para të humbjes që Aleanca për Shqiptarët mund t’i ndodhë në këto zgjedhje. Dihet tashmë se Qeverinë e Zaevit e mbështesin të gjithë faktorët relevantë dhe, të njëjtit nuk do të lejojnë të dështojë, përkundër asaj se dy deputetët e Aleancës për Shqiptarët janë faktor të rëndësishëm në Qeveri”, thonë diplomatë në kushte anonime.
Megjithatë, njohësit e çështjeve politike thonë se problemi duket të jetë më i thellë. Aktivistë dhe struktura të caktuara të Aleancës për Shqiptarët duan më shumë poste dhe detyra në Qeveri, gjë që nuk mund t’u japë Sela dhe me këtë, ai para tyre, po mundohet të tregojë se është ”rojtari i çështjes kombëtare” në Qeveri.
”Është interesant fakti se, RDK me aq pak vota dhe me më pak fuqi se Aleanca për Shqiptarët arriti të marrë poste të shumta, madje mbi 40 për qind të posteve të LR-PDSH-së, që më në fund – Sela të prish koalicionin. Tani, kërkesat e aktivistëve dhe strukturave janë më të mëdha, sidomos kur e kemi parasysh fushatën, gjë që Sela nuk mund të bëj asgjë konkrete”, thonë njohësit e rrjedhave politike, të cilët shtojnë se fuqia jo e madhe e Selës në Strugë dhe e ministrit Arben Taravari në Gostivar, sidomos tani pas përkeqësimit të marrëdhënieve edhe me Lëvizjen BESA, po bën që Sela të gabojë pothuajse në secilën paraqitje para leketoratit shqiptarë.