Zhvillimi ekonomik, social, infrastrukturor, por edhe deponitë ilegale, mungesa e ujit për pije dhe rrjetit të kanalizimit, që janë disa nga mangësit, për shumë komuna, janë pjesë e platformave të kandidatëve për kryetar komune. Por, ajo që është më me peshë për qytetarët janë krijimi i vendeve të reja të punës dhe tërheqjen e investimeve të huaja dhe plotësimi i nevojave elementare. Nëse do të përmbushin premtimet kandidatët që do të fitojnë, kjo mbetet të shihet pas zgjedhjeve lokale. Por, për analistët këto premtime vetëmse thuhen me fjalë dhe pak janë të realizueshme, shkruan Almakos.
Publicisti Iljasa Saliu veçon se për aq kohë sa do t’i kemi në skenën politike të njëjtit njerëz që riciklohen nga partia në parti, apo brenda partisë nëpër funksione të ndryshme, do t’i kemi të njëjtat premtime për arsye të dështimeve të njëjta.
“Është pamendësi që në vitin 2017 çështja e kanalizimit dhe e asfaltimit të vargohen në letrën e premtimeve. Njëherësh, nënvizimi i këtyre çështjeve në çdo fushatë tregon se sa mbrapa kemi ngelur. Ata kryetarë që popullin, apo një pjesë të tij e kanë lënë pa kanalizime dhe pa rrugë të asfaltuara, pra me rrugë të bajgosura dhe të përshkuara nga jashtëqitja.., as që duhet të mendohen nëse ia vlen apo nuk ia vlen të votohen”, thotë Iljasa Saliu, për Almakos.
Ai shton se ata të rinj të përfshirë në politikë, punën e parë që duhet ta bëjnë është kryerja e kanalizimeve dhe asfaltimi i rrugëve, të cilat projekte kanë mbetur nga e kaluara.
“Më duket turp të krenohesh me diçka që i përket shekujve të kaluar, ata duhet të punojnë më shumë”, deklaroi Saliu, për Almakos.
Politologu Xhenur Iseni, thotë se kjo gjë është një e vërtetë e hidhur, dhe se këto gjëra duheshin të kryheshin shumë më herët dhe jo prap të përsëriten me këto probleme elementare për jetesë, dhe kjo ndodh vetëm te vendbanimet shqiptare.
“Me plotë bindje dhe them se partitë shqiptare plaftormave të tyre të vitit 2013, tani, vetëm jua kanë ndërruar vitin në 2017, sepse të njejtat premtime si në vitin 2013 janë në fletushkat e tyre dhe kjo dëshmon dështimin total të tyre në aspekt lokal, konkretisht ky dështim e ka emrin BDI dhe pastaj vijnë partitë tjera”, deklaroi Iseni për Almakos.
Njohësi i rrethanave politike, Sulejman Mehazi thotë se premtimet e kandidatëve, për kryetarë komunash janë të turpshme për kohën e sotme moderne, të gjitha këto premtime janë mashtrime e naive nënçmuese e poshtëruese për popullatën tonë.
“Të gjitha këto premtime deponishë, plehrave e kanalizimeve, bota e ngritur perëndimore i ka bërë që moti, jo vetëm në vendet urbane, por edhe rurale. Mbi 20 vite kaluan e asgjë s’kanë bërë, në vend që të plasojnë projejte për fabrika, ata merren me wc-hane, po taman për kanalizime e deponis na konsiderojneë, për asgjë tjetër. Por, është e vërtetë se për popullatën e ngratë shqiptare, gjysma e shëndetit të tyre është pastërtia, kurse shëndeti i plotë është papastërtia, prandaj premtojnē papastërti kanalizimesh, dislokim uji, “gjubresh” e grumbuj të mëdha deponishe”, tha Mehazi, për Almakos.
Kryetari i shoqatës Eco Guerila, Arianit Xhaferi përkujton se premtimet për kanalizim, dislokim mbeturinash, rrjet të shpërndarjes së ujit janë bërë edhe në fushatën e vitit 2013 nga BDI dhe Teuta Arifi, por të njëjtat nuk u realizuan gjatë mandatit 2013- 2017.
“Është dashur të ishin kryer tashmë këto e që qytetarëve t’u servohen projekte të tjera, të cilat do përmirësojnë jetën e qytetarëve, duke intervenuar në shëndetësi, arsim, sport, teknologji, etj. Besoj që qytetarët janë të stërlodhur nga këto “projekte”, të cilat Evropa i ka kryer që në mesjetë, prandaj administrata e ardhshme komunale duhet t’i mbyllë këto çështje njëherë e përgjithmonë” shtoi Xhaferi, për Almakos.
Këto janë premtimet e partive politike shqiptare për Komunën e Tetovës.
Adnan Neziri Aleanca për Shqiptarët
“Ne me përkushtim do t’i japim prioritet kësaj pune për shkak se fshati është i dendur me popullsi, dhe fëmijët mundohen duke shkuar në shkollën tjetër “Naim Frashëri” ku mësojnë në tre ndrrime në kushte të vështira ku nuk mund të marrin edukatë. Por, ne do të mundohemi ti japim priorite kësaj shkolle”, tha Adnan Neziri, Aleanca për Shqiptarët.
Nga ana tjetër, kandidati Lëvizjes Besa, njëherit edhe Lider i kësaj partie para banorëve të Tetovës tha.
“Fillimisht dhe urgjentisht do të riorganizojmë Ndërmarrjen Publike Komunale që të mund të pastroj qytetin nga mbeturinat e akumuluara ndër vite dhe të njëjtat do të transportohen drejt deponive aktuale. Paralel do të investojmë në ngritjen e një sistemi të selektimit të mbeturinave si dhe përgatitjen e një strategjie për zgjidhje afatgjate të kësaj problematike”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Kurse kryetarja aktuale e Tetovës, njëherit kandidatja e BDI-së, Teuta Arifi e cila kandidaon për mandatin e dytë në komunën e Tetovës thotë se pikat kryesore të saj janë, ”Demokracia lokale dhe qeverisja e mirë, barazia gjinore, zhvillimi ekonomik lokal, zhvillimi i qëndrueshëm urban, sistemi GIS, Infrastruktura rrugore, parkimi dhe transporti, ndriçimi publik, gazifikimi i komunës së Tetovës, trajtimi i ujërave të zeza dhe rrjeti i kanalizimit, rrjeti i ujësjellsit, zhvillimi i qëndrueshëm rural dhe turizmi malor, arsimi,kultura dhe rinia, mjedisi i pastër jetësor dhe mbrojtja sociale”, janë pikat ku Arifi do të përqëndrohet gjatë mandatit të saj nëse i jepet verdikti nga qytetarët.
Këto janë disa nga premtimet e kandidatëve për Komunën e Haraçinës
ALI ISMAILI, LËVIZJA BESA
“Përparësi e jona është së pari furnizimi me ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët. Momentalisht rrjetin për furnizim me ujë e shfrytëzojnë vetëm 30 për qind të qytetarëve. Fillimisht duhet ta menaxhojmë këtë situatë që tërë popullata e Hara¬çinës të ketë ujë të pijshëm në shtëpitë e tyre”
MILIKIE HALIMI, LSDM
“Isha pardje në fshatin Grushinë mu mbushën sytë me lot për kushtet e tyre të vështira. Shkiur, unë si femër nuk po mundem me përjetu jetën aty, një ekzistencë jo e zakonshme për dallim nga komunat tjera. Thjeshtë mjerim për Haraçinasit dhe komunat përreth”
ISEN RAMADANI, ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Kam projekt, plan konkret për zgjidhjen e këtij problemi, megjithëse është problem që mund të zgjidhet me një afat shumë të shkurt, të mos them, një muaj apo dy muaj. Fillimisht do të marrë pastrimin e deponisë, pastaj është një vend special në kufij me komunën e Likovës”
Kujtojmë, zgjedhjet lokale në Maqedoni do të mbahen më 15 tetor.
M.I
Almakos.com