Lidhja Socialdemokrate dhe Zoran Zaev janë të vetëdijshëm se në
zgjedhjet lokale më 15 tetor nuk do ta marrin mbështetjen nga qytetarët, thuhet në kumtesën e sotme të VMRO-DPMNE-së.
“LSD dhe Zaev për shkak të frikës dhe panikut se do t’i humbin zgjedhjet lokale, lëshuan në liri kriminelë”, citohet në kumtesë.
VMRO-DPMNE thekson se në vend të programit, projekteve dhe zgjidhjeve, adut kryesor i LSD-së dhe Zaevit “janë kriminelët dhe shkelësit e ligjeve të cilët do të vihen në veprim në zgjedhjet lokale që
paraprijnë”.
“Në të njejtën kohë derisa e liruan Bajrushin për shkak të citojmë ‘shkaqeve shëndetësore’, ai nga kafeneja i buzëqeshur e përshëndet Zaevin. Kjo është porosi se kriminelët të cilët i mbron LSD janë
mbi ligjin. Kjo është lojë me drejtësinë. Hapi i këtillë do të thotë se LSD dhe Zaev nuk janë të barabartë para ligjin. Kjo do të thotë se ata i ndajnë njerëzit në ata të cilët janë për LSD-në dhe për të cilët nuk vlejnë ligjet dhe në anën tjetër janë të tjerët. Zaev liron kriminelë të njohur të cilët duhet të punojnë për të në zgjedhjet e ardhshme”, thuhet në kumtesën e VMRO-së.
Më tutje në kumtesë cekin se me lirimin e Agim Krasniqit dhe Bajrush Sejdiut në liri, “LSD dhe Zoran Zaev u bënë sinionim për banditizëm, krim dhe dhunë”.
Në kumtesën e VMRO-DPMNE-së, në fund theksohet se qytetarët në zgjedhjet e ardhshme lokale më 15 tetor “do ta dënojnë këtë sundim kriminel të Zoran Zaevit dhe LSD-së”.