Shqiptarët kanë krijuar perceptim negativ për VMRO-DPMNE-në vetëm si rezultat i propagandës dhe fushatave të LSDM-së, deklaroi kreu i opozitës Nikolla Gruevski në emisionin 200 në Alsat. Sipas tij, tezat për diskirimin ndaj shqiptarëve dhe nxitje të përçarsjes ndëretnike nga partia e tij, janë shpifje.
Çfarë na kanë gabuar neve shqiptarët që të jemi kundër tyre? Ku është logjika këtu? Shqiptarët janë qytetarët tanë. Unë isha kryeministër i të gjithë qytetarëve poashtu edhe i shqiptarëve dhe nuk është e rastësishme që vetëm gjatë atyre viteve, në katër komunat ku jetojnë më shumë shqiptarë, u hapën 25 mijë vende të reja të punës – tha Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE.
Gruevski deklaroi se partia e tij e konteston ligjin për gjuhët sepse e vlerëson si jokushtetues dhe jo sepse është kundër përdorimit të shqipes.
Ajo për të cilën ne angazhohemi është që të mos sillet ligj i cili do të jetë jokushtetues dhe që mund të ndodhë më vonë të bie në Gjykatën Kushtetuese. Nuk duhet të lejohet që me këtë ligj të lodhen shqiptarët deri sa nuk zgjidhen problemet e tyre të përditshme dhe çështjet ekonomike. Shqiptarët kanë dhe do të kenë edhe më tej shumë probleme që duhet të zgjidhen – u shpreh Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Përgjimet, Gruevski, akoma vazhdon t’i konsiderojë si materiale pjesërisht të montuara të cilat LSDM-ja i shfrytëzon për dëmtim të imazhit të partisë së tij.
Bëhet fjalë për padi të fabrikuara, padi pa asnjë dëshmi me të cilat vetëm tentohet të dëmtohet imazhi im veçanërisht në prag të zgjedhjeve lokale por edhe më tej. Unë nuk kam asnjë faj dhe populli këtë e sheh. Padi mund të pranojë secili. Vecanërisht në politikat e Ballkanit. Padi nga pushteti ndaj opozitës ka sa të doni – theksoi Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Sa u takon ngjarjeve të 27 prillit në Kuvend, Gruevski tha se shumë nga deputetët e partisë së tij kanë ndihmuar kolegët e tyre të shumicës për shpëtim nga turma e dhunshme. Për deputetët që kanë hapur dyertë, Gruevski tha se çështja e tyre është e paqartë dhe duhet të sqarohet. Përgjegjësinë për rezultatet e zgjedhjeve lokale, sipas Gruevskit, më shumë e mban kryetari i partisë, gjegjësisht ai vetë.
Fatlume Dervishi