“Ju e shihni se sa e vështirë duket Bota jashtë këtij universiteti. Shifrat e larta të papunësisë dhe trendet e rritjes ekonomike, si rrjedhojë edhe krizat financiare, mbase edhe në përmasa globale, nuk janë aspak inkurajuese. Por, në të njëjtën kohë, tregjet po hapen me shpejtësi dhe konkurrenca për punë po bëhet shumë më e ashpër edhe globalisht. Megjithëkëtë, dëshiroj t’ju inkurajoj që ju gjithmonë të mendoni pozitivisht. Aty ku ka rrezik, në të njëjtën kohë ka edhe shanse dhe mundësi. Ky globalizim dhe kjo konkurrencë, megjithatë sjellin rregulla të reja loje, ku do të çmohet më i afti, më i dituri, më kompetenti e jo vetëm diploma. Për ata ka shumë mundësi dhe shpresë”, kështu tha në fjalimin e tij, rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Zamir Dika, para një numri të madh të studentëve në sallën e madhe me rastin e manifestimit tradicional të fillimvitit të ri akademik, që u mbajt të hënën (18 shtator 2017), në kampusin në Tetovë.
Sipas rektorit Dika, studentët e Universitetit të Evropës Juglindore, duhet ta ndjejnë veten të veçantë, sepse do të studiojnë në mjedisin më të bukur në rajon, me kushte për studim që ia kanë zili edhe mjaft universitete evropiane, me një përshtatje sipas kërkesave të kohës së teknologjisë moderne.
“Në këtë universitet ligjërojnë profesorë dhe një staf i tërë akademik, që është i përkushtuar dhe i trajnuar për t’i pajisur studentët me dije dhe kompetenca sipas metodologjive më të reja të mësimit, për t’i udhëzuar, udhëhequr, këshilluar dhe ndihmuar që në mënyrë sistematike të përvetësojnë njohuri sa më të thella në fushat e tyre të studimit”, tha rektori Dika. Ai vuri në pah edhe shërbimet tejet efikase elektronike dhe administrative, të cilat janë të dizajnuara për t’iu përshtatur stilit të jetës së studentëve në mënyrë dinamike, me një dozë të lartë të interaktivitetit.
Kryetari i Parlamentit dhe Asociacionit Studentor, Veton Iljazi, i porositi studentët që të bashkohen dhe të jenë pjesëmarrës aktiv në të gjitha aktivitetet që organizohen.
“Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar sepse e dimë se në fillim mund t’ju duket e vështirë, por këtu jeni në shtëpinë tuaj të dytë”, tha Iljazi.
Studentët, për dallim nga shkollimi paraprak, këtu do të kenë mundësinë e zgjedhjes së lëndëve, me më shumë detyra dhe ushtrime vetanake, si dhe me më shumë mundësi për të bashkëpunuar midis vete si studentë, që vijnë nga qytete, shtete apo edhe kultura dhe gjuhë të ndryshme, duke përdorur mediat dhe veglat e komunitetit elektronik, me përkrahje të plotë nga universiteti.
Nga përfaqësuesit e Shërbimit Studentor dhe TI-së, studentët e rinj u njoftuan me shërbimet administrative dhe të teknologjisë së informimit dhe komunikimit, që i ofron universiteti, përfshirë këtu edhe rregullimin e orarit, krijimin e profilit elektronik në kuadër të aplikacioneve elektronike, etj.