“ Shiko fëmijën dhe jo aftësitë e kufizuara të tij”, kështu titullohej organizimi i bërë sot nga UNICEF, me qëllim të promovimit për Maqedoninë të Versionit Ndërkombëtarë për Klasifikimit të Funksionalitetit, nga i cili pritet të bëhet ndryshim pozitiv në mënyrën e trajtimit të personave me aftësi të kufizuara, shkruan Almakos.
Para të pranishmëve folën Ema Anaievska, studente në lice, Jane Velkovski i vogli fotografia e të cilit pranë posterit të futbollistit Kristiano Ronaldo u bë profil i UEFA-s, i vogli Jane ishte i shoqëruar nga miku i tij Luka, si dhe Nina Kosteska, e cila vuan nga Sindromi Down.
Nina, Ema, Luka dhe Jane të ulur pranë njëri –tjetrit përballë dhjetëra të pranishmëve dhanë mesazhe të fuqishme për të vetëdijesuar të gjithë se edhe personat me aftësi të kufizuara e duan jetën, dëshirojnë ta shijojnë atë si të gjithë, por mbi të gjitha se ata falin dashuri dhe kanë nevojë për të si çdokush tjetër.
Mes të pranishmëve ishte edhe kryeministri Zoran Zaev, i cili në fjalën e tij para të pranishmëve përmendi një moment që i kishte mbetur në mendje.
“ Një ditë, nëna e një vajze të vogël me Sindrom Down, mu afrua e më tha: “ Fëmija im vuan nga Sindromi Down, a do të mundet vallë ndonjëherë të bëhet e mundur që ajo në të ardhmen të mundet të punojë, të ketë të drejtë e të trajtohet si të tjerët?”. Po, kjo është politika që ne duam të zbatojmë, kështu duam ta kthejmë Maqedoninë. Në një shtet të barabartë për të gjithë. Të gjithë fëmijët i kemi të rëndësishëm, ato janë e ardhmja jonë”- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Siç tha më tej Zaev, Qeveria e mbështet dokumentin ndërkombëtarë të UNICEF. Sipas tij, nuk kemi më nevojë për ” politika të mëshirës”, por për politika që do të përmirësojnë jetën e kësaj kategorie të qytetarëve.
Për përfaqësuesin e UNICEF në Maqedoni, Benjamin Perks, për të përmirësuar situatën e fëmijëve me aftësi të kufizuara, për të mundësuar dhe për të pasur një shoqëri e cila nuk heziton t’i njohë këta persona, për të pasur një shoqëri e cila shoqërohet me fëmijët me aftësi të kufizuara dhe nuk i fsheh ato, duhen tre reforma kryesore. Sipas tij në vend ka rreth 21.500 fëmijë të cilët kanë ndonjë lloj aftësie të kufizuar.
“ 2/3 e këtyre fëmijëve nuk mund të ndjekin shkollimin, gjë që shkel të drejtë e tyre për të lozur, për të ndërtuar raporte shoqërore. Të gjithë kanë nevojë për dashuri, këta fëmijë edhe më shumë se çdokush tjetër dhe meritojnë të kenë një jetë të lumtur, të mos fshihen, por të shoqërohen me të tjerët. Për të jua mundësuar këtë duhen realizuar tre reforma.
-Çdo fëmijë ka të drejtë të mësojë
-Çdo familje duhet të marrë mbështetjen e nevojshme.
– Klasifikim profesional të aftësisë dhe pengesës.
Sot jemi këtu për të për të mbështetur këtë reformë të tretë, shumë të rëndësishme.”- tha Benjamin Perks.
Sipas tij, kjo ide do të jetë e realizuar kur çdo fëmijë të mund të jetojë jetën pa pengesa dhe të mos fshihet për shkak të turpit nga shoqëria.
Ndërsa eksperti ndërkombëtarë, Andreas Martinuci theksoi se MKF është një mënyrë e cila do të ndihmojë shumë në atë se çfarë konkretisht nevojitet, si duhet trajtuar dhe çfarë hapash duhen ndërmarrë që të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara të kenë kushtet e duhura për të bërë një jetë normale./ Almakos.com/
Evi Shkopi
Almakos.com