Kryetari i Komisionit për çështje evropiane Artan Grubi ka mbajtur sot fjalim në seancën që ka pasur të bëjë me propozim ligjin për gjuhën shqipe.
“16 vjet më parë, katër partitë më të mëdha, bashkë me presidentin e atëhershëm Boris Trajkovski, në prezencën dhe me mbështetjen e fuqishme të komunitetit ndërkombëtar të përfaqësuar nga Bashkimi Evropian, SHBA, NATO dhe OSBE, nënshkruan Marrëveshjen paqësore të Ohrit dhe u pajtuan për një Maqedoni të re, Maqedoni të barabartë. Marrëveshja e Ohrit, nëpërmjet amendamenteve kushtetuese të miratuara po nga ky Kuvend, u bë pjesë e rregullit kushtetues të vendit. Sot, para nesh kemi pjesën e fundit normative që rrjedh nga amendamentet kushtetuese, më saktë, amendamenti 5 i nenit 7 të kushtetues te Republikës së Maqedonisë, që parasheh rregullimin e përdorimit të gjuhës më ligj. Ndryshimet kushtetuese, ligji për amnisti, legalizimi i Universitetit të Tetovës, ndarja territoriale, ligji për decentralizim, ligji për simbole kombëtare, shumica e dyfishtë në Parlament, përfaqësimi i drejtë dhe barabartë në institucionet e shtetit, gjuha shqipe bashkë edhe me shumë obligime tjera që rrjedhin nga Marrëveshja paqësore e Ohrit, edhe përkundër reagimeve emotive të çastit, e bënë Maqedoninë me shoqëri më kohezive, vend më të fortë, vend me të barabartë dhe i bën të gjithë qytetarët më lojal ndaj shtetit”, ka thënë Grubi, njofton Medial.mk.
“Prandaj, MO është storie e suksesit të partive maqedonase, partive shqiptare, partive të komuniteteve tjera, shoqërisë civile, mediave, botës akademike dhe patjetër edhe e komunitetit ndërkombëtar që dha kontribut të jashtëzakonshëm në këto 16 vitet e fundit në Maqedoni. Fal zbatimit të MO, sot Maqedonia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian qysh nga viti 2005. Në, deputetët nga të gjitha partitë politike, pozitë e opozitë, jemi të vetëdijshëm që ligji që kemi para nesh rrumbullakon pjesën legjislative që buron nga Marrëveshja e Ohrit dhe që në asnjë mënyrë të vetme nuk e cenon kushtetutën e as karakterin unitar të shtetit. Prandaj, ju ftoj të jemi të matur në prezantimet tona në ditët në vijim në lidhje me këtë çështje dhe mos të ngarkojmë qytetarët me informacione të pasakta. Qytetarët kërkojnë një Maqedoni të barabartë, një shoqëri kohezive, reforma të thella në sistem, në veçanti atë gjyqësor, por edhe me mënyrën e zbatimit të pushtetit, fqinjësi të mirë, harmoni ndëretnike dhe integrim të menjëhershëm në NATO dhe në BE. Pikërisht për këtë, ne duhet të punojmë në drejtim të plotësimit të pritshmërive të qytetarëve tanë”, ka nënvizuar Grubi.