Ish-drejtori për mbrojtje dhe shpëtim ka keqpërdorur partinë e tij për qëllime personale, duke fituar tender, para dhe duke punësuar familjen e tij në emër të partisë. Kështu sot iu drejtuan anëtarët e Partisë së Romëve të cilën e drejton ai. Nënkryetari i partisë Rikardo Sali thotë se Shaban Saliu së fundmi ka ndryshuar sjelljen e tij.
“Shaban Saliu e ka keqpërdorur partinë për tu pasuruar nga politika, ku ju mund të hulumtoni e disa e dinë se kush ishte Shaban Saliu para se të hynte në politikë, dhe me çfarë posedon tani pasi i mbaroj mandati i drejtorit për mbrojtje dhe shpëtim, dhe këtë gjë ne e vlerësojmë si keqpërdorim të partisë dhe pasurimin e tij ekstrem dhe të familjes së tij. Pasurim ekstrem do të thotë pasurim në të holla, në prona etj”, tha Rikardo Sali, nënkryetar i partisë.
Sekretari gjeneral i partisë Forcat Demokratike të Romëve kërkon që kryetari i tyre sa më shpejt të japë dorëheqje. Sipas drejtorit gjeneral kryetari i partisë Shaban Saliu ka thirrë kongres pa dijeni të anëtareve të partisë.
“Ai ka ardhur në përfundim se diçka ka ndodhur në parti dhe të njëjtën mbrëmje ka vendosur që të nesërmen në ora 19 të thirr kongres në hotelin kontinental. Që donë të thotë atë natë ai është shëtitur nëpër rrugë i ka zgjuar anëtarët tonë dhe i ka detyruar që të nënshkruajnë një dokument, ndërsa ato nuk e kanë ditur se për çfarë kanë nënshkruar”, u shpreh Sejfo Kadri Sekretar Gjeneral i Partisë.
Ndërsa kryetari Shaban Saliu thotë se asnjëherë nuk e ka keqpërdorur partinë dhe se si fakt theksoi se edhe djali i tij është i papunë.
“Ato janë të pavërteta dmth që partia nuk bën para, nuk është fabrikë nuk është makineri, përkundrazi ne kemi organ. Kjo nuk është hera e parë që ai për mua flet në këtë mënyrë, disa herë ia kamë falur në interes të çështjes së romëve. Ne kemi organe brenda në parti, partia jonë ka rreth 25 -30 mijë anëtarë dhe 42 degë. Partia ka këshill drejtues i cili vendos për të gjitha procedurat. Sa për dijeni edhe dali im është i pa punë”, tha Shaban Saliu Kryetar i Partisë.
Saliu thotë se nuk e mendon dorëheqjen, kurse për zgjedhjet lokale nuk e përjashton faktin se përveç me VMRO-DPMNE-në ,mund të koalicionojë edhe me parti të tjera, shqiptare dhe maqedonase.
Përgatiti Afrim Jonuzi/TV21