Të gjithë dibranët kanë ngritur zërin, shekuj më parë, por edhe sot, për zhbërjen e kufirit mes Dibrës së Madhe dhe Dibrës së vogël, që sot njëra është në Maqedoni, e tjetra në Shqipëri. Vendosja e kufirit mes një qytetit, me histori të bujshme, mbetet plagë për shumë dibranë, që u ndanë nga prindërit, motrat, vëllezërit, pra gjaku e fisi. Përpjekjet për të rrëzuar këtë kufi kanë qenë shumë, që nga koha e rilindasve tanë, dikush me pushkë e dikush me armë të tjera, si fjala dhe mendimi i thukët. Ndërsa, sot akoma ekziston ky kufi.
Në një prononcim për Almakos, flet kryetari i komunës Dibër, Ruzhdi Lata, por kemi shkëputur fjalë edhe nga një bashkëbisedim i më hershëm me shkrimtarin Eqrem Basha dhe ish ministrin, edhe gazetarin Rexhep Zllatku.
Kryetari Ruzhdi Lata, tregon se cila është plaga e dibranit, dëmet në sferën e ekonomisë, të kulturës dhe artit, etj. Në pyetjen nëse bëhet pëpjekje për rrëzimin e këtij kufiri, Lata është optimist se me hyrjen në BE, të vendeve Ballkanike, nuk do të ketë më kufi.
“ Kufiri politik, që ndan një vend, së pari është një kufi i përcaktuar, gabimisht në vlerat, sistemin ndërkombëtar. Ngase, ndërkombëtarisht kufiri, gjithmonë, do të shkojë tehut të malit ose luginës së lumit, këtu, ato norma nuk janë përcaktuar dhe Dibra ka mbetur në Ish Jugosllavi, apo tani në Maqedoni. Por, si do që të jetë ai kufi, tashmë është i përcaktuar.
Dëmet që i ka bërë Dibrës janë katastrofale, shumë të mëdha. Se përveç që ndau tokën, ai ndau dhe gjakun, ndau fëmijët me prindërit, ndau vëllezërit, motrat dhe ndërpreu një vazhdë dhe rrjedhë të jetës normale të dibranëve. Kështu që, gjysma mbeti në këtë anë e gjysma tjetër në anën tjetër, dhimbje shpirtërore, të cilat akoma nuk mund t’i shërojmë ose u mbyllen me një simptomë, ‘ftohje’, për të mos e njohur edhe gjakun tonë.
Sa i takon anës së ndikimit të kulturës mangësia është e dukshme, shumë e madhe. Dëmi më i madh është se u ndërpre kontinuiteti i ‘Lidhjes Artistike’, që dibranët e kishin në histori, duke respektuar Kanunin Dibran, madje vlerat epike të Dibrës së madhe, lidhshmërinë e Dibrës me Kukësin, Tiranën, kurse për të tjerët u ndërpren marrdhëniet me Dibrën e Madhe, Manastirin, Shkupin, Tetovën, etj.
Sot kjo ane e kufirit që është riberalizar realisht, ku tani lëvizja bëhet me letënjoftimi, por për dibranët nuk është mjaft, ngase lëvizja me letërnjoftim mund të bëhet tek njerëzit që nuk kanë lidhje gjaku, e jo tek njerëzit që është nda fëmija me prindin. Këtu, defakto duhet ai kufi të mos ekzistojë. Mirëpo, janë rrjedhat politike që na japin shpresë, që një ditë nuk do të ekzistojë dhe ne duhet të bëjmë pak durim, me hyrjen në Bashkësinë Evropiane, vetëm atëherë ky kufi do të anashkalohet apo do t’i humb vlera. Do të turpërohemi në histori se do të tregohet se çfarë vuajtje kemi patur, çfarë mundime na kanë dhënë, lëvizjet apo qëndrimet e kohës”, tha Ruzhdi Lata, kryetar i Komunës Dibër, për Almakos.
Lata shton se do të vazhdohet të ngrejmë zërin, dhe të mësojmë pasardhësit tanë se ai kufi nuk duhet të jetë mes një kominiteti, siç janë dibranët.
“Ne kemi ngritur zërin që në vitin 1990, do të vazhdojmë, duam, apo nuk duam, ne e kemi obligim familjar, të gjakut, të kombit edhe të trojeve, që të paktën fëmijët tonë të jenë të informuar që ai kufi nuk duhet të ekzistojë”, tha Lata.
Kufiri i hekurt midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë i solli telashe shumë dibranëve. Disa anëtarë të saj ju mbetën në anën tjetër. Këtë e ka përjetuar dhe ish ministri dhe gazetari Rexhep Zllatku.
“Në fëmijërinë time, në vitet ’40, Dibrën e kishte pllakosur një gjëmë e madhe: mbyllja e kufirit. Ai hapi një plagë që do të kullonte gjak te të gjithë shqiptarët, por duket se Dibra dhe disa anë të tjera kufitare do ta përjetonin më rëndë. U desh kohë që dibranët të kuptonin se tashmë kufiri nuk kalonte vetëm përmes rrymës së Drinit të Zi, përmes hullive të arave, përmes kurrizit dhe kikave të maleve, por edhe përmes zemrës së tyre. Rrallë familje kishte mbetur e pandarë: nëna këtu, bija atje, burri atje, gruaja këtu, një fëmijë andej, një fëmijë këtej. Disa vogëlushë, që kishin ardhur te të afërmit në Dibër nga Tirana (në Tiranë ishte vendosur gjysma e Dibrës që në vitin l913, pas kryengritjes së përgjakshme kundër Serbisë) mbetën këtu derisa mbaruan tetëvjeçaren dhe maturën. Gjyshes sime s’ i thaheshin lotët për të bijën që e kishte në Maqellarë, një fshat ky sapo ta kalosh kufirin. Ajo mbylli sytë dekada më vonë pa e parë fare. Ime ëmë vuante edhe ajo për të bijën, e cila kishte kaluar kufirin ditën që ai do të mbyllej. Vëllai i madh, që prej 2-3 vjetësh vuante dënimi në Idrizovë, u nda nga e fejuara që jetonte në Tiranë (tek ai kishte punuar si mjek) dhe nuk u takua më kurrë. Kështu ishte edhe me shumë familje të tjera. Kufiri ua hëngri shpirtin dibranëve.
Ai gjëmonte natën nga pushkët e kufitarëve që ndiqnin refugjatët që vinin në Dibër dhe nga diverzantët që hidheshin andej. Për çdo mëngjes shikonim në rrugët e qytetit me familje të tëra, pleq e plaka, nëna me lurekë në duar, bile me bagëti. Ata vinin nga Shqipëria, duke lënë të vrarë ndonjë anëtar të familjes në kufi.
Në Dibër nisi një valë e re vrasjesh dhe burgosjesh. Më kujtohet si pëshpërisnim ne fëmijët për vrasjen e Nexhat Agollit, këtij dakoli dibran, por gjithnjë fshehurazi. Pak më vonë u burgos ministri tjetër, Xhafer Kodra, të cilin e liruan pas shumë vjetësh me sëmundje mendore. Masat e rrepta tregonin se populli nuk kishte rënë squkë.
Kufirin tani e kalonin vetëm zogjtë dhe kafshët e egra. Mua më ka lënë përshtypje të fuqishme një njeri që hynte e dilte matanë (ndajfolja matanë tani përdorej në vend të emrit Shqipëri) pa ferrë në këmbë. Ishte ky Eshref Palikuqi, ish-kryebashkiaku i Dibrës, që kishte ikur në Shqipëri. Ai e kishte të motrën në Dibër, aty dhe nipat e mbesat, dhe vinte sa herë e merrte malli. Ishte një zemërluan, që i njihte me pëllëmbë kreshtat e maleve të Dibrës. Të nesërmen ne fëmijët mësonim jo vetëm që Eshrefi kishte ardhur prapë, por edhe ç’i kishte bërë e motra për darkë…”, rrëfen Rexhep Zllatku, ish ministër.
Shkrimtari Eqrem Basha, nuk ka lënë anash vendlindjen e tij, duke thënë se Dibra ka një histori të dhembshme, ku edhe e ka shfaqur në romanin e tij “Varre”.
“Me këtë jam marrë shumë kohët e fundit. Nyja e problemit të Dibrës është kufiri. Për këtë kam shkruar një roman (“Varrë”) që doli në 100 vjetorin e shetit shqiptar. Në dhjetor të vitit të kaluar pata një prezentim në Universitetin e Humboltit në Berlin, ku u lexua një “file rouge” i gjithë librit, në shqip dhe në gjermanisht. Diskutimi që erdhi pas leximit ishte befasues. Në fakt një studiuese me origjinë nga Kërçova (dr. Lumnije Jusufi) udhëheq një projekt në këtë universitet që trajton rolin e kufirit në ndryshimet shoqërore e linguistike ne Dibër të Madhe. Në kuadër të atij projekti ka qenë dhe prezentimi i romanit, si dokument autentik për atë se ç’paraqet dhe çka ka paraqitur ndër vitë kufiri që ndan Dibrën sikur të kishte ndarë për mesi një trup të vetëm njeriu. Të huajt që ua kanë “qepur” këtë kufij shqiptarëve nuk e kanë kuptuar asnjëherë këtë. Vite më parë, në një rezidencë në qytetin e Gracit, në Austri, pata detyrë të shkruaja një ese mbi temën “Poetika e kufijve”. Shkrova: “Rrëfimi për babain, atletin e kufirit”. Pasi u përkthye gjermanisht dhe u botua në një revistë prestigjoze aty, reagimet e para ishin : ke shkruar një fiksion interesant. Askush nuk besonte se ajo ishte historia e vërtetë e tim eti, në shkathtësinë e tij në kapërcimin e kufijve atëherë kur duhej mbajtur lidhjet familjare dhe duhej ruajtur fisi dhe identiteti.Kufiri është një plagë kanceri. Ai asnjëherë nuk shërohet nëse nuk zhduket fare”, thotë shkrimtari dibran, Eqrem Basha.
Ndërkaq, Xhemail Çupi, profesor Universitar, i pyetur nga Almakos për temën: Kufiri në mes Dibrës së Madhe-Dibër e vogël, a është një plagë, dhe sa ka penguar zhvillimin ekonomik, kulturor, artistik, për Dibrën dhe dibranët ky kufi. A është e mundur bashkimi i dibranëve nga Dibra e Madhe dhe Dibra e Vogwl. Çfarë kanë bērë politikanët shqiptar, për rrëzimin e këtij kufri dhe bashkimin e së njejtës, si njē trung i vetëm, Çupi, na dha këtë përgjigje:
Kryetari aktual, të realizon premtimin që e ka dhënë në fushatën e tij fituese që përmes pushtetit Qëndror të ndërton Terminalin doganor.
“Pajtohem plotësisht me konstatimin tuaj se kufiri jo i natyrshëm që është vendosur padrejtësisht mes dy Dibrave, që në fakt përbëjnë një të vetmin, është një plagë aq e thellë saqë sado që të shërohet përsëri do I mbesin njollat. Unë vet gjyshen e kam patur prej Dibrës së vogël prandaj këtë tragjedi të ndarjes për së gjalli me gjakun tonë e kemi përjetuar në familjen tonë.
Sistemi I atyre viteve ka qenë aq ekstrem saqë ka qenë e ndaluar edhe vrojtimi I kufirit e jo më kalimi I tij, por fatkeqësisht ata që pësuan më shumë janë banorët e fshatrave kufitar saqë si rezultat I këtij presioni të vazhdueshëm që shpesh herë ka kaluar edhe në internime dhe burgosje pa asnjë arsye, këta fshatra janë boshatisur dhe aty më nuk jetoj njeri. Nëse pasojat pra ishin fatale në jetrat e njerëzve nuk vjen në shprehje zhvillimin ekonomik,kulturor,artistik.
Sa I takon bashkimit administrativ të dy Dibrave, sado që ajo do ishte një natyrshmëri, mendoj se për momentin mishërim I vetëm për dy anët do ishte integrimi I të dy shteteve, asaj të Shqipërisë dhe Maqedonisë në suaza të Bashkimin Evropjan.
Në raport me rrëzimin definitiv të kufijve administrativ theksova më lartë, por do ritheksoj se në kuadër të Bashkimin Evropjan ka shumë kritere që duhet të plotësohen dhe shumë marveshje bilaterale mes shteteve që do të bënin lehtësimin, përkatësisht eliminimin e procedurave burokratike për shkëmbim të mallrave, etj. Duke e lokalizuar problematikën në nivel ndërkomunal hapi I parë që duhet të bën Kryetari aktual është që të realizon premtimin që e ka dhënë në fushatën e tij fituese që përmes pushtetit Qëndror të ndërton Terminalin doganor” tha Xhemail Çupi, Profesor Univerzitar.
Delvina Kërluku
Almakos.com