Partitë politike të cilat kanë të drejtë të dorëzojnë propozime për anëtarë dhe zëvendës të tyre në bordet zgjedhore janë LSDM, VMRO-DPMNE, BDI dhe Lëvizja BESA. Kështu është vendosur në seancën e fundit të KSHZ-së të mbajtur mbrëmë. Nga KSHZ thonë se afati i fundit kur partitë politike mund të dorëzojnë propozimet e tyre është 29 gushti. Në pajtueshmëri me këtë, Komisioni Zgjedhor Komunal, obligohet që të më 29 gusht, të organizojë kujdestari, deri në orën 24:00, që partitë politike të mund ti dorëzojnë propozimet e tyre.
Në seancën e njëjtë, KSHZ poashtu e miratoi edhe “Udhëzimin për mënyrën e emërimit të bordeve zgjedhore sipas propozimit të partive politike, për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 15 tetor 2017”.
Fillimisht të drejtë që të propozojnë anëtarë dhe zëvendësa të tyre kanë partitë politike opozitare, të cilat kanë marrë më së shumti vota në zgjedhjet e fundit për deputetë.
Një anëtar dhe zëvendës të tij emërohet me propozim të partive politike në opozitë, dhe një anëtar dhe zëvendës i tij emërohet me propozim të partive politike në pushtet.
Megjithatë, Lëvizja Besa si parti më e madhe opozitare shqiptare, akoma nuk ka një përfaqësues në Komisionin Shtetëror Zgjedhor. Qeveria në mbledhjen e mbrëmshme ka shqyrtuar kërkesën për interpretim autentik të kodit zgjedhor, dhe ka vlerësuar se nuk ka nevojë për një interpretim të tillë nga ekzekutivi. Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, tha se një vendim të tillë duhet ta marrë Kuvendi.
“Lidhur me dispozitat e kodit zgjedhor në të cilat thirret kërkuesi i kërkesës për interpretim autentik, deputeti Afrim Gashi, Qeveria në seancën e saj të 24 morri vendim që këto dispozita janë tërësisht precize dhe se nuk është e nevojshme interpretim shtesë. Sipas mendimit të ministrisë së Drejtësisë, në lidhje më këtë kërkesë, në pajtueshmëri me nenin 68 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, organ kompetent për dhënie të interpretimit autentik të ligjeve është Kuvendi i Republikës së Maqedonisë”, ka thënë Mile Boshnjakovski, Zëdhënës i Qeverisë
Kujtojmë se Besa pretendon se vendi i anëtarit të KSHZ-së, të cilin ende po e ushtron Bedredin Ibrahimi i propozuar nga PDSH-ja, tani i takon Lëvizjes Besa.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
KSHZ: Partitë të propozojnë anëtarë të bordeve… by tvshenjaofficial