https://www.facebook.com/ballistet.1992/videos/1636160343080996/
“Gjithmonë i fituar, asnjëherë i falur”, kjo fjali përshkruan me së miri suksesin e ekipit tetovar “ Shkëndija”, sepse sukses është edhe vet fakti që sonte do të zhvillohet ndeshja e cilësuar si historike mes K.F “Shkëndija” dhe ekipit të Milanit, shkruan Almakos.
E pikërisht kur akrepat e orës të shënojnë 20:45, brohoritjeve “ Shkëndija, Shkëndija” të rreth 2000 Ballistëve nga stadiumi i San Siros, do t’u bashkëngjiten edhe mijëra shqiptarë të cilët nëpërmjet ekranit me emocion do të presin më të mirën nga lojtarët e ekipit tetovar.
Tifoz, sonte janë edhe emra të njohur shqiptarë, nga Maqedonia, Shqipëria e Kosova. Disa presin fitore e disa barazim.
“Një barazim i “ Shkëndisë” në Milano do të na bënte të lumtur pa masë… Shqiptarët e Maqedonisë e meritojnë të kenë disa raste të lumtura pas një periudhe të zymtë. Shkëndija historikisht ka qenë një drite shprese edhe ne kohët e vështira të errësirës komuniste dhe besoj që djemtë kuq e zi do japin maksimumin në Itali” – tha artisti strugan, Agim Poshka.
” Unë mendoj se do të kemi rezultat 1-0 për “Shkëndijën. Suksese ekipit” tha per Almakos, aktori nga Shqiperia Romir Zalla.
“ Po si e thonë një fjalë në Shkodër, “Nganjëherë e mbush shejtani” kështu që edhe mund të marrë rezultat pozitiv por është shumë e vështirë se po luajnë me një nga klubet më të suksesshëm në futboll”- tha këngëtari shkodran, Bujar Qamili.
“Sigurisht se presim rezultat sa më pozitiv. Zemra jonë është atje ku është ” Shkëndija”. Unë ju uroj një ndeshje të mbarë dhe të na nderojnë siç kanë bërë gjithmonë”- tha këngëtari tetovar, Mahmut Ferati.
“Shkëndija” zemra e Shqiptarisë…uroj që “ Shkëndija” do e ndezë atë xixe shkëndije sonte me fitore!! Unë, si të gjithë pres FITORE…uroj djemve shëndet e lojë të bukur sonte! Na bëni krenar edhe sonte SHKËNDIJA #ForcaShkëndija#B92”- shprehet me entuziazëm për Almakos, këngëtarja pejane,Violeta Kajtazi.
“Me thënë të drejtën unë nuk jam adhurues i ndeshjeve të futbolli, por jam i vetëdijshëm çfarë domethënie ka për tifozët e Shkëndisë dhe jo vetëm, vetë fakti që luhet një ndeshje e këtij kalibri. Sigurisht që duke qenë i vetëdijshëm edhe për vlerat e sportit nuk jam krejtësisht indiferent ndaj kësaj ndeshje! Në kohën e shpresave të vyshkura e të errësuara, një SHKËNDIJË drite vlen shumë”- thotë regjisori nga Gostivari, Sulejman Rushiti.
“Me rëndësi është të luajnë mirë, kjo është kryesorja,”- tha aktori Visar Vishka.
Siç raporton nga Milano, gazetari Blerim Ismaili, Në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes, nga ekipi tetovar u pa maturi, duke treguar respekt për Milanin, mirëpo sulmuesi i Shkëndije-s, Ferhan Hasani, shkoi një hap më tej duke nxeh atmosferën dhe më shumë. Ai tha se ai me bashkëlojtarët e tij nuk kanë ardhur në San Siro për të zhvilluar ndeshje miqësore me Milanin, por që në Maqedoni të kthehen me rezultat pozitiv.
Atmosfera para super-sfidës historike kundër Milanit është shumë pozitive edhe pse ethet e ndeshjes I kanë kapluar të gjithë, jo për shkak të pasigurisë, por për shkak të padurimit.
Në Milano nga moment në moment pritet të arrijnë edhe 20 autobus me tifoz nga Maqedonia, mirëpo mediat italiane bëjnë të ditur që klubin nga Tetova do ta përkrahin në San Siro edhe tifoz shqiptarë nga Zvicra dhe Gjermania.
Pronari i klubit tetovar Lazim Destani nga Gjermani sot arriti në Milano dhe së bashku me pronarët kinez të Milanit do ta ndjek ndeshjen në San Siro. Destani si para nisjes për në Milano ashtu edhe tani, me mjaft optimizëm dhe përkrahje për klubin dhe lojtarët e tij. Ai lojtarët i motivoi duke thënë se të njëjtët me dinjitet do te përfaqësojnë ngjyrat e klubit.
Gjithashtu edhe gazetarët që udhëtuan në Milano me klubin tetovar janë optimist se “Shkëndija “ posedon kualitetin dhe zgjuarsinë e nevojshme që nga sfida e parë me Milanin të korrë rezultat pozitiv. Kjo sfidë është mjaft e vlefshme për të dyja skuadrat përshkak se bëhet fjalë për kualifikim në fazën e grupeve të Europa Ligës.
Evi shkopi/ Blerim Ismaili
Almakos.com