Paraqitja e konsullit të përgjithshëm të Maqedonisë Toronto të Kandasë, në një eveniment, ku në sfond shihet një hartë me të ashtuquajturën “Maqedonia e Madhe“, me yllin e Vergjinës, ka shkaktuar zemrimin e Greqisë.
Ministria e jashtme greke, menjëherë ka dërgaur një notë proteste qeverisë në Maqedoni, ku thuhet se konsulli Jovica Palashevksi ka bërë edhe thirrje me karakter irredentist.
“Denoncojmë pjesëmarrjen e Konsullit te Përgjithshëm të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë në Toronto, në këtë eveniment irredentist, me anë të të cilit, Shkupi ka shkelur sërish Marrëveshjen e Përkohëshme, e cila kërkon në mënyrë të qartë shmangien nga çdo akt me pretendime territoriale”, thekson Ministria e Jashtme greke.
Sipas Athinës ,qeveria e re e Shkupit deklaron se kërkon një fillim të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, por megjithë ndryshimin e politikanëve, duket se irredentizmi është ende ideologjia dominuese shtetërore dhe praktika e përditshme politike në vendin fqinj. Gjithashtu, Ministria e Jashtme greke, në notën e protestës drejtuar qeverisë Zaev, kërkon braktisjen e këtij fenomeni, respektimin e kufijve dhe të parimeve të fqinjësisë së mire, si kushte për suksesin e aspiratave euro-atlantike të Maqedonisë.