Sot ka filluar afati i parë për regjistrimet në Universitetin e Tetovës, por jo edhe për drejtimet e disperzuara në UT- Shkup dhe UT-Kërçovë. Këto të fundit, sipas asaj që thuhet nga PR i Universitetit të Tetovës ashtu si edhe vitin e kaluar edhe këtë vit do të pauzojnë dhe se për të njëjtat do të hapet konkurs atëherë kur Universiteti I Tetovës do ta vërej si të nevojshme, raporton Almakos.
Kjo ka ngjallur konfuzion tek studentët, të cilët janë në mes të viteve të studimit, por edhe tek ata të cilët sapo kanë lënë bankat e shkollës së mesme për tu vendosur në ato të arsimit të lartë.
E lidhur me këtë nuk ka një përgjigje konkrete nga UT, pra nëse kategoria e studentëve të përmendur më lartë duhet të zhvendosen në Tetovë për të vazhduar studimet, cila është procedura që duhet të ndjekin, apo duhet të pauzojnë bashkë më drejtimet e tyre?
“ Fakultetet e disperzuara, në konkursin të cilin e kemi shpallur nuk parashihet që të ketë disperzimë, pasi që edhe vitin e kaluar nuk ka pasur disperzime. Megjithatë, kjo që në konkurs nuk parashihen disperzime, do të thotë që këto drejtime nëpër disa fakultete siç ka qenë rasti në Shkup ose në Kërçovë, këto drejtime janë vënë në pauzë. Kështu që ndoshta në ndonjë vit të ardhshëm ose ndonjë vit tjetër, kur universiteti do ta vlerësojë se ka nevojë, ndoshta vitin e ardhshëm do të shpallim konkurs edhe në drejtimet e disperzuara”- tha Prof.Dr. Reshat Qahili, prorektor për arsim në UT.
E gjitha kjo, ashtu siç edhe mund të pritet, ka “prekur në tel” studentët të cilët nuk hezitojnë të shprehin revoltën e tyre.
“Nuk mundet kështu, ne veçmë jemi në përfundim të studimeve dhe tani duhet të ndryshojmë dhe të shkojmë deri në Tetovë për të përfunduar vitin e fundit. Nuk është vetëm mundimi, por janë harxhime të cilat nuk e kemi mundësinë të gjithë t’i mbulojmë. Është udhëtimi çdo ditë, për të marrë banesë atje çmimet nuk është se janë të lira”- tha A.L , student nga Shkupi.
“ Në rregull që është edhe UNT, por nuk ka drejtimet për të cilat disa nga ne duam të aplikojmë. Ekziston mundësia në universitet maqedonase t’i regjistrojmë të njëjta, por nuk është njësoj” – tha B.N, diplomuar nga shkolla e mesme.
Siç thonë studentët, ata ndjehen të shqetësuar, sepse në pyetje është ardhmëria e tyre, dikush nuk ka kushte ekonomike për të jetuar larg shtëpisë, e të mos flasim për shpenzimet mujore nëse sytëi kthejnë nga universitetet private.
Disa javë më parë nga MASH për mediat në vend lidhur me mbylljen e drejtimeve të disperzuara kanë dhënë këtë qëndrim:
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës sjell vendimin për mbylljen e studimeve të disperzuara, në bazë të kërkesës së vetë universitetit. Nëse universiteti e sheh që nuk ka të interesuar për ato degë të disperzuara bën vetë mbylljen e tyre, siç ishte rasti vitin e kaluar me UT në Shkup”- thuhet nga MASH.
Të gjendur në këtë situatë maturantët kanë jo shumë zgjedhje për atë se në cilin drejtim apo universitet do të regjistrohen. Një prej mundësive të tyre është edhe Universiteti “ Nënë Tereza”, por i njëjti ende nuk e ka të zgjidhur përfundimisht çështjen e objektit në të cilin do të vendoset njëherë e mirë.
Evi Shkopi
Almakos.com