Ditëve të fundit gjithnjë e më shumë po flitet për vendosjen e një pllake përkujtimore kushtuar “Branitellave“ në parkun e ri, proekti i cili pritet të fillojë këto ditë…
Në një konferencë për gazetarë, kreu i Kumanovës, Zoran Damjanovski sqaroi, se ka iniciativa për një pllakë të këtillë nga disa organizata qytetare, por vendimi për këtë megjithatë sillet në Këshillin e Komunës dhe votohet me Badenter.
“Mundësi për vendosjen e pllakave përkujtimore, nëse eventualisht ka kërkesa nga shoqata të qytetarëve drejtuar deri tek Këshilli, ne e shikojmë pamjen e të njejtës dhe vendoset me lejen nga Këshilli në bazë të programit, në bazë të cilit çdo bashkësie etnike, në zona të caktuara të qytetit i lejohet me leje të sektorit për urbanizëm i lejohet vënia e shenjave përkujtimore që është e rëndësishme për zhvillimin demokratik të Maqedonisë së pavarur. Të gjitha vendimet për vënien e shenjave përkujtimore pavarsisht përkatësisë etnike, kalojnë përmes vendimit të Këshillit të Komunës ku votohet sipas principit të Badinterit”, tha Zoran Damjanovski, Kryetar i Komunës së Kumanovës.
Lidhur me këto paralajmërime ka reaguar edhe Grupi i këshilltarëve të BDI pranë Këshillit të Kumanovës, i cili kundërpëgjigjet me paralajmërim për vënien e një pllake përkujtimore kushtuar dëshmorëve të kombit të UÇK të rënë gjatë luftës së vitit 2001.
“Nëse kryetari i Kumanovës merr iniciativë për vënien e pllakës përkujtimore për “branitellat” atje ku mendon, ne këshilltarët e BDI do të marrim iniciativën për vënien e pllakës përkujtimore për dëshmorët e UÇK të vitit 2001, tek parku i qytetetit në afërsi të Stadiumit të qytetit”, tha Feriz Dervishi, këshilltar i BDI-së -Kumanovë.
Zoran Damjanovski , në këtë konferencë për gazetarë foli edhe për angazhimet e tij në meremetimin e shkollave me mësim në gjiuhën shqipe dhe infrastrukturën e pjesës shqiptare të Komunës së Kumanovës.
NEXHAT AQIFI