Politikbërësit i shohim shpesh se sa të ashpër e kritik janë kur ndodhen në opozitë. Të themi ndryshe ngjajnë si detektues gabimesh/problemesh dhe kjo nuk do të thotë aspak se është diçka e keqe, sepse për një qeverisje të mirë duhet një opozitë e konsoliduar, korrekte, dhe e angazhuar që të vëzhgojë me kujdes punën e pozitës, në mënyrë që parësore të jetë gjithmonë ajo që është në interes të qytetarëve.
Megjithatë, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Shqipëri e Kosovë, vërejmë se problemet të cilat politikanët i shohin para uljes në karriken “pushtetdhënëse”, janë më të shumëta, më seriozë dhe më urgjentë për t’u zgjidhur. Kur kalojnë në pushtet gjuha e tyre ndryshon, duke i zëvendësuar fjalët e ashpra e akuzuese, me fjalë më të buta dhe shpresëdhënëse, por nuk vërehet gjithmonë entuziazmi i mëparshëm, kur ato probleme të cekura duhet të zgjidhen prej tyre, shkruan Almakos.
Politikologu, Xhenis Sulimani, thotë për Almakos se partitë politike shqiptare në Maqedoni, shumë pak merren me analizimin e nevojave qytetare edhe pse gojën plotë e kanë me “interes qytetar”. Strukturat partiake më shumë mendojnë për atë se çfarë ndahet në Qeveri, sesa për funksionin e të shërbyerit në këtë të fundit. Pozita u ka interesuar më shumë, thotë Sulimani, se sa shërbimi që duhet të dal nga ajo pozitë. Sipas tij, nëpër plan-programet e tyre zotohen për çështje, sipas tyre, të mëdha, por jo edhe të aplikueshme.
“Shembull konkret e kemi zyrtarizimin e gjuhës shqipe.Të gjitha partitë politike shqiptare para zgjedhjeve të 11 dhjetorit të vitit të kaluar zotoheshin për zyrtarizim të gjuhës shqipe, ndërkaq tani është ndërruar retorika dhe po flasim për “avancim të gjuhës shqipe”. Kjo për faktin se për tu zyrtarizuar gjuha shqipe duhen 2/3 e votave në Kuvend. Vijmë deri te pyetja kryesore PSE PO GËNJENI? Prandaj vijmë deri te kjo çështje që ju e keni ngre tash: “Pse ndërrohet fjalori kur hyjnë partitë në Qeveri? Për faktin se premtimet parazgjedhore i kanë gënjeshtra dhe i sajojnë në atë mënyrë, si kamuflim, për të ikur nga realiteti qytetar dhe nevojat elementare qytetare që janë ndryshe.Komikja në këtë situatë është se edhe opozita shqiptare tani e kritikon faktorin politik shqiptar në Qeveri, për diçka që as vet nuk do të ishte në mundësi ta bëjë edhe po të ishin ata në pozitë”, thotë politikologu, Xhenis Sulimani.
Nga ana tjetër, Sulimani shton se opozita në Maqedoni po shkon drejt konsolidimit, sidomos pas takimit mes Menduh Thaçit dhe Bilall Kasamit. Sipas tij, dialogu është bazamenti i politikbërjes dhe nëse këta të fundit duan që të mos vazhdojnë avazin tashmë tradicional, ndryshe në opozitë dhe ndryshe në pozitë, duhet që agjendat e tyre politike të jenë të pastra qytetare. Megjithatë, kuptohet të zbresin te populli, e nga aty të formojnë politikat dhe jo nëpër shtabet partiake me përfaqësues të mëhallave, tipike fisnore- politikë provinciale, përfundon Sulimani.
Ndërsa, një element problematik në gjithë këtë, shtron politikologu Deniz Memedi, i cili thotë se një “fenomen” i ri në qeverinë e re reformatore të Maqedonisë është kyçja e njerëzve nga sektori civil në kabinetet e ndryshme e që më parë ishin konstantë të zëshëm me kritika të rregullta ndaj qeverisë së kaluar të DPMNE-së, ndërsa tani të njëjtat problematika egzistojnë, ndërsa po të njëjtit njerëz të zëshëm më parë, janë në heshtje të plotë.
“Këta njerëz tani i keni në kabinete të ndryshme të ministrave, disa prej tyre edhe në kabinet të kryeministrit, tani që janë më afër vendit të vendimarrjes, ata heshtin. E gjithë kjo tregon se kemi mungesë të kritikave dhe sugjerimeve konstruktive, qëllimi si duket, është të rrëzohet oponenti nga pushteti dhe nga njerëz që kritikonin deri dje, nga njerëz që gjoja e duan të mirën e këtij shteti dhe kësaj shoqërie, po rezulton se qëllim i vërtetë dhe gjithë ajo zhurmë që e manifestonin në forma të ndryshme paska qenë për t’i zënë karriget”- thekson politikologu, Deniz Memedi.
Sipas tij,në çdo shtet detyra e opozitës është që t’i gjejë zbrastirat e qeverisë dhe të ofrojë alternativa në formë të projektligjeve apo iniciativave të caktuara, me qëllim që të tërheq vëmendjen e qytetarëve që për zgjedhjet e ardhshme të rrisin numrin e elektoratit që t’i votojë dhe se kjo është normale, por kjo nuk do të thotë, sipas tij, se duhet harruar qëllimi parësore i çdo politikani dhe ai është mbi të gjitha të jetë interesi i qyetarëve.
Evi Shkopi
Almakos.com