Shefi MAMUTI
Sipas të dhënave nga Enti shtetëror për statistika, numri i fëmijëve të lindur në tremujorshin e tretë të vitit 2015, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar, është ulur me 3,3 % dhe ka vlerën e 6 081 lindjeve. Numri i personave të vdekur në tremujorshin e tretë të vitit 2015 është rritur me 0,5 % në krahasim me tremujorshin e vitit të kaluar dhe kap cifrën e 4 514 personave, prej të cilëve 41 janë foshnje të vdekura.
Nga këto të dhëna na del edhe shtimi natyror, i cili për këtë periudhë ka vlerën 1 567, që don të thotë se, për aq njerëz numri i foshnjeve të lindura është më i madh se numri i vdekjeve.
Ajo që vërejmë nga ky publikim i Entit shtetëror për statistika, është dallimi i madh i shtimit natyror mes komunave me shumicë shqiptare dhe atyre me shumicë maqedonase. Për shembull, komuna e Çairit, ku shumica e popullësisë janë shqiptarë, ka shtim natyror të popullësisë më të madh se të gjitha komunat me shumicë maqedone, që kap vlerën 159, dhe vetëm Tetova ka shtim natyror më të madh (duke patur parasysh numrin e popullësisë). Çairi ka shtim më të madh se Kumanova, Demir Kapija, Dellçeva, Kavadarci, Makedonski Brod etj. Gjithashtu, Çairi me shtim natyoror 159 njerëz dhe Saraji me 129, kanë shtim natyror më të madh se të gjitha komunat tjera të Shkupit, siç janë: Aerodromi 107, Buteli 62, Gazi Baba 28, Gjorçe Petrov 24, Karposhi -9, Kisella Voda 45, Qendër 31 etj.
Komunat maqedone, jo që kanë shtim natyror tepër të ulët në krahasim me komunat shqiptare, por disa prej tyre rrezikohen me shpopullim ose pakësim të popullësisë, pasi kanë shtim natyror negativ, ose ndryshe thënë, kanë më tepër vdekje të regjistruara se sa lindje, siç janë: Manastiri me rekord -59, pastaj Kavadarci -19, Dellçevë -14, Bogdanci -10 etj.
Dhe këto janë të dhëna zyrtare që për çdo tremujor jep Enti i statistikave. A thua pse u ndërpre regjistrimi i popullësisë në tetor të vitit 2011? Përgjigjen të gjithë e dijmë, mirëpo këtë si duket nuk dëshirojnë ta pranojnë maqedonasit, edhepse faktet janë të pastërta si loti.
Komunat me shtim më të madh natyror të popullësisë
Komuna | Lindje të regjistruara | Vdekje të regjistruara | Shtimi natyror |
Shkup | 1806 | 1165 | 641 |
Tetovë | 339 | 155 | 184 |
Çair | 288 | 129 | 159 |
Kumanovë | 353 | 221 | 132 |
Saraj | 189 | 60 | 129 |
Aerodrom | 260 | 153 | 107 |
Studeniçan | 131 | 31 | 100 |
Zhelinë | 97 | 23 | 74 |
Komunat me shtim natyror negativ
Komuna | Lindje të regjistruara | Vdekje të regjistruara | Shtimi natyror |
Kavadar | 93 | 112 | -19 |
Dellçevë | 28 | 42 | -14 |
Krivogashtani | 11 | 23 | -12 |
Bogdanci | 18 | 28 | -10 |
Karposh | 170 | 179 | -9 |
Berovë | 30 | 39 | -9 |
Vallandovë | 16 | 25 | -9 |