Kryeministri Zoran Zaev i shoqëruar edhe nga ekipi qeveritar ekonomik u ulën ballë për ballë me afaristët të cilët gravitojnë në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP),duke ju dhënë mundësinë që këta të fundit të parashtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje.
Gjatë këtij takimi problemet e renditura nga biznesmenët për të cilat presin zgjidhje në të ardhmen nga Qeveria, formonin një listë të gjatë.
Përveç kërkesave që biznesmenët kishin, edhe kryeministri Zaev kishte disa kërkesa ndaj bizneseve. Një prej këtyre kërkesave ishte që kompanitë private të punësojnë në rradhët e tyre të punësuar në administratën publike dhe shtetërore në mënyrë që shteti të mos mbulojë nëpërmjet buxhetit shpenzime të panevojshme, si për shembull numri i madh i të punësuarve në administratë.
“Do të ofrojmë që në vitin e parë ne të paguajmë pagën, ndërsa të punojnë te ju, por me kusht që t’i mbani së paku për edhe një vit”- tha Zaev i cili foli edhe për evazionin fiskal që ka arritur rreth 300 milionë euro.
Mirëpo i pari i Qeverisë kërkoi gjithashtu që punëdhënësit të japin paga më të larta, sepse pasi t’a bëjnë këtë do të kenë përfitim edhe më të madh.
“Do të kërkoja edhe nga ju drejtuesit e bizneseve, që të zbusni zemre dhe ta hapni qesen pak më shumë kur bëhet fjalë për pagat e punëtorëve. Paguajini punëtorët më shumë dhe do keni më shumë përfitim, do kemi shoqëri më të lumtur, familje më të qeta, por edhe cilësi më të lartë dhe prodhim më të madh në bizneset tuaja”- tha kryeministri Zaev.
Kryeministri i Maqedonisë paralajmëroi veprime konkrete të shtetit në drejtim të luftimit të fshehjes së tatimit.
“Nëse dikush nuk paguan TVSH, I njejti kalon në konkurencë jolojale, nëse ai nuk paguan 18%, është më konkurues në treg se ju. Dikush nuk paguan tatim personal, dikush tatimin e fitimit, pra kemi evasion. Do të marrim masa të cilat në mënyrë të ndershme do të bëjnë që shteti të arkivojë paratë. Ne nuk synojmë t’I mbysim bizneset në gjoba, por herën e parë inspektoret do të ju japin paralajmërim, dhe një afat prej 30 ditësh që kryeni detyrimin tatimor dhe nëse I njejti nuk realizohet Brenda kësaj periudhe, atëherë do të pasojnë gjoba ndoshta edhe më të mëdha seç kanë qenë”- tha kryeministri Zaev.
Ndërsa, komuniteti i biznesit kërkon që një përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të shkojë në zhvillim të barabartë rajonal, të rregullojë infrastrukrurën e zonës Ekonomike të Vizbegut në Shkup, , të zhdëmtohen bizneset nga përmbytjet në Hasanbeg, ku dëmi është rreth 15 milionë euro, dhe si kërkesë e katërt është regjistrimi i popullatës si një mekanizëm i cili do të qartësojë numrin e banorëve që është shumë i nevojshëm për ekonominë e vendit.
Sa i përket shqetësimit për Zonën Ekonomike në Vizbeg, zëvendës kryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev tha se tanimë është caktuar një takim me zonën Ekonomike të Vizbegut që do të mbahet më 7 gusht.
Evi Shkopi
Almakos.com