Çdo sezon dasmash shoqërohet edhe me frikën e asaj që do të na dëgjojnë veshët e do të na shohë syri, të krisura armësh e njerëz të plagur apo edhe viktima, siç ndodhi edhe më 19 vjeçarini cili mbrëmë u plagos nga një tjetër dasmor, kur ky fundit kishte qëlluar me armë në ajër.
Ata që kanë pësuar nga raste të tilla kanë thënë: “ Asnjëherë më nuk do të përdorim armë në dasma”, por vallë a duhet të “digjet” çdonjëri vet për të kuptuar se plumbat që hedhin në ajër, mund të përfundojnë në trupin e dikujt dhe gëzimi të shëndërrohet në fatkeqësi?
Sipas sociologurt Ali Pajaziti kapadallëku para dasmorëve duhet të kishte mbetur në të kaluarën që mot. Sot kur të flitej për të shtënat me armë fjalia duhet të fillonte mE “ Na ishte njëherë…” dhe jo “ Ç’na gjeti kjo e zezë në këtë ditë gëzimi?!”. Sipas tij, gëzimi nuk duhet të shoqërohet me dimension militant, por me vlera të mirëfillta.
“Kultura jonë duhet të ngrihet në një nivel më të lartë, duhet të nisim dhe të përbyllim gëzimin familjar me kënaqësi e jo t’i shndërrojmë dasmat në varrime, e krushqit në kortezhe mortore. Nuk e di pse duhet të mësojmë nga gabimi ynë, në vend që të mësojmë nga të largëtat, t’i themi stop kësaj çmenduria që vë në zi shumë familje. Dëmtim ekonomik, dëmtim social (prishje e imazhit tek të tjerët), dëmtim psikologjik (te fëmijët), traumë që nuk shërohet me asgjë, sepse jeta nuk ka rifillim e as plumbi pyet për adresë- thotë sociologu Ali Pajaziti.
Në pjesën më të madhe të incidenteve që ndodhin nëpër gazmende nga të shtënat me armë, poseduesit këtyre të fundit nuk kanë leje për të. Pra lind pyetja se çfarë duhet të bëjnë organet e rendit për të parandaluar ngjarje të tilla? Sipas Pajazitit, organet e rendit duhet të marrin masa, por obligimin kanë edhe personat referencial.
“Organet kompetente duhet të marrin masat e duhura që qytetarët të mos zotërojnë armë që mund të keqpërdoren, të ndëshkohen ata që shkrepin armët pa arsye. Duhet edhe mobilizim masiv për heqje të kësaj ngarkese negative nga historia, për organizime, tubime, gëzime me mend e jo me emocione. Në këtë drejtim obligim kanë personat referencialë, në veçanti dijetarët e fesë që duhet të theksojnë përfundimin e vrasësit, e marrësit të një jete njerëzore”- theksoi Pajaziti.
Të njejtin mendim ndajnë edhe disa qytetarë me të cilët mundëm të kontaktojmë. Sipas tyre është mungesë përgjegjësia nga ana e poseduesit të armës që qëllon në një vend ku lehtë mund të lëndohet ndonjë nga personat e pranishëm.
“Është ndër veset më të këqia të një pjese të banorëve , të cilët tregojnë mospërgjegjësi ndaj pjesmarrësve të tjerë. Është një ves që turpëron shqiptarët I popull dhe që nga organet e rendit duhet dënuar maksimalisht. Tek e fundit, fajtorë s’janë as dasmorë apo ata që gjuajnë, por janë organet e rendit që nuk marrin masa ndaj këtyre fenomeneve. Me theks të veçantë mungesa e një fushate vetdijësimi nga ana e MPB-së, sidomos për sezonin e dasmave”- thotë një banor i fshatit Siniçan të komunës së Bogovinës.
“ Të gjithë duam të shprehim gëzimin, por s’ka nevojë të jetë me armë. Në dasëm vallëzohet e këndohet, për pushkë është lufta”- tha një qytetar i Shkupit.
Në Maqedoni çdo vit ka incidente me të krisurat nëpër dasma. Para disa javësh, në Gostivar është lënduar një burrë me një plumb qorr i cili vinte nga dasma e fqinjëve, e rastet e tilla nuk kanë të ndalur për do vit.
Evi Shkopi
Almakos.com