Babë e birë nga fshati Simnicë e Gostivarit (njëri 50 vjeçar ndërsa tjetri 23, nacionalitetit shqiptar), kanë ndërruar jetë në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup. Ata ishin sjellur në Klinikë me temperaturë të lartë, diare dhe vjellje.
Babai ka ndërruar jetë pak pasi u soll në Shkup, kurse 48 orë më vonë edhe djali i tij 23 vjeç.
Më herët ata nuk kanë vuajtur nga asnjë sëmundje. Dhimbja ua ka përfshirë mushkëritë, gjakun dhe bubrekët, duke sjellur deri te vdekja e shpejtë.
Bëhet fjalë për sëmundje misterioze, sepse mjekët akoma nuk e dinë se për çka bëhet fjalë. Supozimet e tyre janë se bëhet fjalë për sëmundje që përhapet nga kafshët dhe insektet, shkruan Gazeta Lajm.
Në Klinikë ndodhen edhe katër pacientë nga rajoni i njëjtë me simptoma të njëjta, por janë me pasqyrë më të lehtë klinike.
Shërbimet Epidemiologjike janë në terren dhe do të konfirmojnë nëse ka nevojë për shpallje të epidemisë, sepse një pjesë e këtyre pacientëve janë familjarë mes veti.
Në Klinikën e Sëmundjeve Infektive pacientët e shtrirë janë izoluar në hapësira të veçanta.
Kryhen analiza që të konfirmohet se për çfarë sëmundje bëhet fjalë.