Brukseli dëshiron që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian dhe njëra nga arsyet kryesore për këtë është që të rinjtë të qëndrojnë në vendet e tyre dhe të mos i braktisin ato, ka porositur sot në Trieste, Komisari Evropian për Politika të Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Johannes Hahn. Duke folur në samitin e liderëve të gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor, i cili mbahet në kuadër të procesit të Berlinit, Hahn tha se kjo do të ulte tensionet nga e kaluara. Hahn, shprehu besimin se liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të konfirmojnë formimin e një hapësire rajonale ekonomike.
“Kjo do të nënkuptonte krijimin e një zone prej rreth 20 milionë njerëzish, në të cilën do të kishte qarkullim të lirë të mallrave dhe shërbimeve. Hapësira e përbashkët ekonomike do të rriste shkëmbimet tregtare në Ballkanin Perëndomor. Ata që besojnë se tregu ekonomik rajonal mund të pengojë idenë e anëtarësimit të ardhshëm të Ballkanit Perëndimor në BE, gabojnë. Është e kundërta. Bëhet fjalë për përgatitjen e rajonit për treg të përbashkët të BE-së”
Krerët e 13 shteteve dhe qeverive nga Ballkani Perëndimor, Gjermania, Franca dhe Italia, si vend pritës janë mbledhur në Trieste në kuadër të samitit të katërt që organizohet si vazhdim i Procesit të Berlinit. Liderët janë të shoqëruar nga ministrat përkatës të punëve të jashtme, të ekonomisë, të transportit, ndërkohë që nga radhët e pjesëmarrjeve të rëndësishme mund të përmendet Kancelarja gjermane Merkel, presidentit francez Macron si dhe kryeministri italian Paolo Gentiloni. Në samit, po ashtu e pranishme është edhe shefja e diplomacisë së BE-së, Federika Mogherini dhe Komisionerja e Transportit, Violeta Vulc. Bisedimet pritet të konkluzohen me firmosjen e Traktatit të Komunitetit të Transportit, në një ceremoni që pritet të zhvillohet në orën 18.15. Samiti i Triestes është një vazhdimësi e Procesit të Berlinit, i cili ka si synim mbështetjen ekonomike për projekte rajonale që ndërlidhin ekonomitë e shteteve ballkanike me qëllim përfundimtar integrimin e plotë të tyre ne BE. /SHENJA/
Han flet për një treg ballkanik prej 20 milionë… by tvshenjaofficial