Situata e krijuar në Kuvend pas formimit të 10 grupeve parlamentare nga një koalicion i vetëm i kryesuar nga VMRO-DPMNE do të shqyrtohet në koordinim te kryetari i Kuvendit.
Talat Xhaferi thotë se ka komunikim të mirë me të gjitha partitë politike parlamentare dhe do të përpiqet që përmes dialogut të tejkalojë “ngërçin” e paralajmëruar
“Unë nuk i predikoj qëllimet e veprimit politik të koalicionit opozitar në fjalë, por si mënyrë e veprimit dhe si mënyrë e punës lë hapësirë për stërkëmbëza procedurale në punën e parlamentit. Prandaj, marr mbi vete që, komunikimin që kam me partitë politike, të gjejmë zgjidhje për faktin që unë nuk mund të konkludoj se ajo është qëllim i caktuar i subjektit politik, i cili vepron në këtë formë dhe për këtë arsye nuk dua të prejudikojë se bëhet fjalë për qëllim”,– theksoi kryetari i Kuvendit të RM-së, Talat Xhaferi.
Në rast se dëshmohet në vepër se VMRO-DPMNE, me organizimin në 10 grupe parlamentare, ka për qëllim bllokimin e punës së Kuvendit, Xhaferi nuk përjashtoi mundësinë e ndryshimit të Rregullores dhe mënjanimin e mundësisë së një koalicion të mund të formojë më shumë grupe parlamentare.
“Formalisht ndryshimi i rregullores bëhet me 61 vota dhe në këtë kontekst Parlamenti ka mundësi të hyjë në proces të ndryshimit të Rregullores, mirëpo duhet pasur parasysh që Rregullorja dhe Ligji për Parlamentin ka edhe një klauzolë që thotë se ndryshimet e Rregullores bëhen me konsensus. Për këtë arsye unë nuk preferoj që të mendohet në atë hap. Ai është hapi i fundit që duhet bërë dhe unë si kryetar parlamenti nuk lejoj që hapi i fundit të bëhet i pari”,– tha kryetari i Kuvendit të RM-së, Talat Xhaferi.
Për shkak të mosdefinimit të qartë të veprimit politik të opozitës, pezull ka mbetur edhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit. Xhaferi tha se pas marrëveshjes politike mes subjekteve politike parlamentare, me vendim do të përcaktojë numrin e nënkryetarëve, prej të cilëve njëri duhet të vijë nga radhët e opozitës.
SHPËTIM NUREDINI