Në hotelin Aleksandar Palace në Shkup dje pasdite është mbajtur tryeza e liderëve e thirrur nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Deri në mbyllje të këtij edicioni të gazetës takimi ende nuk kishte përfunduar. Takimi sërish u bojkotua nga partia më e madhe opozitare, Lëvizja Besa, kurse për herë të parë mori pjesë PDSH e Menduh Thaçit, përmes përfaqësuesit të lartë, Luan Tresi.
Njohësit e rrethanave politike, thonë që është mirë që ka takime, por, këto takime duhet të shfrytëzohen për të mirën, për interesat e popullit e jo vet politikanëve. Sipas tyre , tryezave të tilla u ka humbur relevanca dhe përdoret vetëm për propaganda. Ata takimin e cilësojnë si një lojë të Ahmetit dhe mendojnë se ai, një gjë të tillë e ka bërë vetëm për ti kamufluar dështimet.
Publicisti Iljasa Salihu, thotë se është mirë kur ka takime mes subjekteve politike, por sipas tij është edhe më mirë që brenda atyre takimeve të ketë debate dhe jo servilizëm.
“Njohja e qëllimit të ftesës është relative, prandaj nuk bën të paragjykohet qëllimi i ftesës. Tekefundit, takimi është një mundësi e mirë të thuhen gjërat troç dhe në sy. Assesi takimet nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht pajtime. Është një mundësi e mirë për të biseduar, kritikuar dhe debatuar pa ndërmjetësues”, tha Saliu.
Sipas Saliut, do ishte mire që Lëvizja Besa të merrte pjesë në këtë takim dhe t’ia vargonte në sy gjitha kritikat që përkojnë me deklaratën shqiptare.
“Mbase, nëse qëllimi i ftuesve ishte ceremonial, Lëvizja Besa duke u pajisur me argumente konkrete do të mund të na tregonte se ceremoninë e tillë e panë si ceremoni komemorative”, përfundoi Saliu.
Gazetari Benjamin Arifi thotë se është vërtet fatkeqësi por, tryeza e partive politike shqiptare në Maqedoni humbi relevancën dhe tani po përdoret vetëm në funksion të propagandës dhe fushatës politike.
“ Atëherë kur duhej thirrur kjo tryezë, BDI negocionte kokë më vete me VMRO-në e më pas edhe LSDM-në. BDI dhe Aleanca pranuan të bëhen pjesë e Qeverisë pa marrëveshje të shkruar, pa garanca për realizimin e Deklaratës së Përbashkët dhe pa marrë asnjë nga funksionet e rëndësishme në shtet, si Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme, Ministria e Financave, DSK-në ose Byronë për Siguri Publike. Dëmi tashmë është bërë, asnjë tryezë nuk mund ta zhbëjë. Prandaj akrobacionet e tilla sot janë vetëm propagandë politike e BDI-së në prag të zgjedhjeve lokale”, deklaroi Arifi për Lajm.
Arifi shton se vendimi i Lëvizjes Besa për të refuzuar këtë takim është vazhdimësi e qëndrimit që e njëjta të mos pranojë Ali Ahmetin si “kryeplak” të partive shqiptare, që është e pritshme pas gjitha akuzave që ka drejtuar Besa ndaj tij dhe subjektit që drejton Ahmeti.
Është më se evidente se ftesa e Ali Ahmetit për takim të përbashkët me liderët të partive politike shqiptare është një lojë e tij për t’i kamufluar dështimet e shumta në të kaluarën, por edhe dështimin ‘’politik” dhe “kadrovik” në qeverinë e re para zgjedhjeve lokale, kështu mendon, politologu Murat Aliu.
“Ndërsa arsyeja se gjoja këto takime realizohem me qëllim të realizimit të ashtuquajturës “platformë shqiptare” është një populizm i pastër nga partia e Ahmetit, pasi që vendi ku duhet te diskutohet kjo çështje është qeveria dhe parlamenti dhe ato jo me të gjithë partitë politike shqiptare, por me partnerin e koalicionit, Zoran Zaevin”, pohoi Aliu.
“ Kur jemi te vendimi i L.BESA, për mos pjesëmarrje në këto takime,për mendimin tim duke pasur parasysh arsyetimin e kësaj partie dhe qëndrimet e mëparshme për të njëjtën çështje, ky vendim është konsistent dhe në përputhshmëri me siç thashë,qëndrimet e mëparshme të partisë, lidhur me këtë çështje. Prandaj nuk ka asgjë tragjike që Besa nuk merr pjesë në këto takime,sepse çdo parti ka programin e vet partiak dhe vizionin politik për arritjen e qëllimeve të saja” përfundoi ai.
Analisti politik Selim Ibrahimi e ka quajtur humbje kohe tryezën e thirrur nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai thotë se ky takim është bërë për të arsyetuar hyrjen pa kushte në Qeveri.
“Tryeza është humbje kohe. Shkuarja në takim s’do ndryshojë asgjë. Vazhdim i politikës me mjete tjera për të arsyetuar hyrjen pa kushte në qeveri. Shoë i BDI-së s’ka fund!”, ka shkruar në facebook, analisti Ibrahimi. (m.i)
Hajdari: Takimi hap joserioz i Ahmetit
Pronari i Gazetës Lajm, njëherit analist i afërt me krahun ushtarak të BDI-së, Fejzi Hajdari, e konsideron joserioze ftesën e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti për takim të liderëve shqiptarë. Hajdari dyshon edhe në sinqeritetin e këtij takimi.
“Ali Ahmeti e paska vendos t’i serviloset Edi Ramës, pasi ky i fundit, doli fitues absolut ne zgjedhjet e se dielës.
Alija njëherë hoqi dore nga Deklarata e Tiranës, të cilën e nënshkruan krerët politikë të BDI-së, BESA-s dhe LR-PDSH-s. Tani për ti bëre punët Ali Ahmet-iançe (ne stilin e vet pra), fton në takim për debat për Deklaratën, nga e cila ai vet i pari hoqi dorë, vetëm e vetëm për tu bërë pjesë e qeverisë Zaev, ndërkohë që Zaevi paraprakisht para presidentit Ivanov dha garanca se nuk do të ketë kurrfarë Deklarate ne Programin e tij qeveritar!”, vlerëson Hajdari. Ai është kritikues i ashpër i politikave të Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit, prandaj nga shumë opinionistë quhet edhe “zëdhënës i krahut ushtarak të BDI-së”.