Maqedonia ka nevojë që urgjentisht të krijojë një ambient më të sigurtë dhe më human për të punësuarit. Ekzistojnë linja telefonike ku mund të paraqiten parregullsitë, por paralelisht me ato, ekziston edhe frika se pas kësaj paraqitje mund të humbet vendi i punës, shkruan Almakos.
Sa i përket kësaj, Ministrja në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, Mila Carovska, tha se tani qytetarët, konkretisht të punësuarit duhet të ndjehen të lirë të paraqesin rastet kur ndodh të shkelen të drejtat e tyre, pasi që institucionet do të punojnë me vepra dhe jo me fjalë.
Sa i përket punës së institucioneve, ministrja Carovska, tha se deri tani është parë se Inspetoriati Shtetëror i Punës nuk është treguar funksional dhe nuk ka kryer si duhet punën e tij, por se me bashkëpunim tani e tutje kjo do të ndryshojë.
“Maqedonia si vend që ka nënshkruar shumë konventa dhe ratifikime duhet të jetë në nivel të lartë të të drejtave të punëtorëve me qëllimi të një produktiviteti më të lartë, e si rrjedhim edhe rritje ekonomike me të madhe, por do të shohim se në degët që janë kritike dhe ku ka më shumë luhatje, kemi edhe rrespektim më të vogël të të drejtave të punëtorëve. Duhet të cek se edhe sindikatat janë shumë të rëndësishme, për arsye se, mund të keni para çdo kompanei nga një inspektor, por megjithatë të mos e dini se kur ka shkelje të të drejtave të punëtorëve apo se ku mungojnë konkretisht kushtet për punë”- tha ministrja Carovska.
Kjo strategji mbështetje mori edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, tha se të dejtat e punëtorëve janë elementare andaj edhe duhet të punohet që të ketë avancim.
“Bëhet fjalë për një strategji 2020 e cila është për avancimin e të drejtave të punëtorëve në aspektin shëndetësorë. Unë e thash se ne si Ministri e Shëndetësisë do të japim maksimumin tonë për ta mbështetur implementimin e kësaj strategjie. Shpresoj që të kryhet siç duhet dhe të avancohen të drejtat e punëtorëve, pasi që ato janë të drejta elementare të çdo punëtori por edhe qytetari të R. së Maqedonisë”– tha ministri i shëndetësisë, Arben Taravari.
Nëse duam që kjo të funksionojë, sipas Milan Petkovski, kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve, të dyja palët edhe punëdhënësi edhe punëtori, duhet të rrespektojnë të drejtat e njëri-tjetrit.
“ Nuk mund ti vendosni inspektor çdokujt, për duhet të bëhet që çdonjëra palë të rrespektojë të drejtat, e kjo duhet të vlejë njejtë për të gjithë. Nuk duhet të ketë të privilegjuar, nuk duhet të ketë njerëz të cilët janë mbi ligjin. Nuk janë gjëra që mund të kthehen , punëtorin e vdekur nuk e kthejmë dot, andaj duhet të kemi kujdes. Punëtorët e Bujqësisë janë më të rrezikuar. Shpesh herë edhe me ju gazetarët kur bisedoj, kam marrë përgjigje që nuk më pëlqejnë shumë sa u përket të drejtave”- tha Milan Petkovski, kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve.
Sipas tij, një pjesë e madhe e punëtorëve nuk i dinë të drejtat e tyre dhe madje as nuk dinë ku të kërkojnë informacion. Madje, shton ai, informacione të tilla trajtohen si të shkallës së dytë, të llojit” nëse je ndërtimtar duhet të ngjitesh në skelë”, por harrohet të thuhet se ajo skelë duhet të jetë e siguruar.
Kjo u tha sot ( e premte) në takimin e mbajtur ku u pa strategji nacionale për mbrojtje dhe shëndet 2020, e përgatitur nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale dhe Këshilli për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Projekt strategjia përmbante propozimet për ndryshimin e ligjeve që janë në kuadër të rritjes së ingerencave të institucioneve për informimin e punëdhënësve, propozim për mbrojtjen e shëndetit të punëtorit, kontrrollet e zakonshme shëndetësore të punëtorëve, përfshirja e institucioneve në vet kompanitë më qëllim të përmirësimit të kushteve.
Evi Shkopi
Almakos.com