Qeveria e re ndër premtimet e saj ka edhe atë për rritje të pagës minimale.
Megjithatë, rritja e pagës minimale mund të bëjë edhe më të shpeshta rastet kur, pagesa e rrogës në bankë bëhet sipas rregullave, ndërsa shtesën e të njejtës pasi e tërheq nga banka, punëtori ia kthen pronarit, përndryshe mund të humbasë edhe vendin e punës, njohton Almakos.
Sa i përket kësaj, ministri i financave, Dragan Tevdovski, në takimin që mbajti sot ( e premte) me sindikatat dhe Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, tha se do të bëhet çfarëdo që është e nevojshme që keqpërdorime të tilla të mos lejohen.
Qeveria e re pretendon që rroga minimale nga rreth 12.000 denarë të arrijnë në 20.000 denarë. Megjithatë, kjo ka ngjallur dilema të shumëta se si do të bëhet e mundur, pasi pas krizës politike pasqyra financiare e vendit lë për të dëshiruar.
Lidhur me këtë, Ministri i Financave, Dragan Tevdovski, tha se nuk duhet të ketë aspak dilema. Sipas tij, ideja është që të bëhen shkurtime nga komoditetet e qeverisë, dhe ato para të përdoren për të bërë ndryshim në pagesën minimale të një numri të madh të punëtorëve.
“Do të kemi mbështetje edhe të punëdhënësve. Shumë prej tyre thonë se kjo rritje mund edhe të përballohet nese nuk ka presione politike dhe gjoba që lidhen me presionin politik ,siç kanë pasur deri më tani. Ne do ta vendosim këtë edhe në rebalancing e buxhetit, domethënë do të kemi edhe mbështetje buxhetore. Për të arritur rezultat më të mirë po mbajmë sot edhe këtë takim me sindikatat”- tha ministri i financave Dragan Tevdovski.
Në këtë takim ishte e pranishme edhe Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Mila Carovska, e cila tha se ka filluar të punohet për atë që u është premtuar qytetarëve në fushatën parazgjedhore.
“Konsultimet e gjera janë shumë të rëndësishme dhe vetëm kështu mund të sjellim vendime të duhura se si do të pozicionohemi sa i përket rritjes së rrogës minimale. Me rëndësi është se do të përpiqemi në të gjitha nivelet të kemi rrogë minimale të barabartë, sepse më herët ka pasur diskriminime të shumëta”- tha Mila Carovska, ministre për Punë dhe Politikë Sociale.
Paga mujore minimale në Maqedoni është më e ulëta në rajon dhe është e barabartë me mëditjen ditore që e fitojnë punëtorët në shtete më të zhvilluara ekonomike perëndimore. Gjithashtu, paga minimale prej rreth 12.000 denarë është tre herë më e vogël se harxhimet mujore të një familje.
Qeveria e re pritet që pagën minimale të bëjë 20.000 denarë.
Evi Shkopi
Almakos.com