Polici i cili nuk përfilli urdhrin e kryeparlamentarit Xhaferi, nuk është dënuar. Kështu u përgjigjën për TV SHENJA nga Ministria e Punëve të Brendshme, pas raportit të cilin e ka bërë Sektori për Kontroll të Brendshëm i cili e ka shqyrtuar rastin. Në raportin për incidentin, MPB thotë se është vërtetuar që zyrtari policor në rastin konkret ka vepruar në pajtueshmëri më rregullat që vlejnë për të punësuarit e MPB-së dhe Rregullores për rend të brendshëm të Kuvendit të Maqedonisë.
“Kontrolli i brendshëm ka konstatuar se shpejtësia e reagimit të zyrtarit policor në rastin konkret G.S në mënyrë direkte varet nga performansi i pajisjes me të cilat ndiqen zhvillimet në sallën për seanca në Kuvend. Gjatë kësaj i është thënë policit që të ketë parasysh të sipërpërmendurën dhe të reagon sa më shpejt pas kërkesës së Kryetarit të Kuvendit”, njofton MPB.
Sektori për Kontroll të Brendshëm pranë MPB-së ka konstatuar se në aktet ligjore dhe nënligjore ekzistojnë lëshime të shumta rreth veprimit dhe ndërmarrjes së masave të zyrtarëve policor, të cilët e sigurojnë Kuvendin ndaj deputetëve me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit, në raste të prishjes së rendit dhe qetësisë gjatë kohës së seancave.
“Për këtë shkak është iniciuar procedurë në Repartin për mbrojtje të personave të caktuar dhe objekteve pranë MPB-së në bashkëpunim me shërbimet kuvendore për sjelljen e procedurave standarde operative për veprim në raste të tilla”, njofton MPB.
Më 15 qershor, në seancë plenare të Kuvendit, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vlladimir Gjorçev, mori fjalim procedural pa ia mundësuar atë kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi. Pas vërejtjeve të shumta të kryeparlamentarit, deputeti Gjorçev nuk largohej nga foltorja, nërsa Xhaferi u detyrua të thirrë sigurimin e brendshëm të Kuvendit. Mirëpo, në sallë u paraqit vetëm njëri nga anëtarët e sigurimit i cili nuk e largoi nga foltorja deputetin e lartpërmendur. Më pas ai u rrethua edhe nga kolegët e tij partiak dhe në pamundësi që të vendosë rend në sallë, kryeparlamentari Xhaferi u detyrua të japë pauzë.
Mefail Ismaili