Qëndrimi i Lëvizjes BESA në opozitë, do të shpaguhet shumëfish në të mirë të shqiptarëve. Kështu tha sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, i cili ishte i ftuar në emisionin ARENA. Gashi shtoi se nuk e kanë për qëllim që të kenë parti të fuqishme, kur shqiptarët çdo braktisin vendin. Duke folur për partitë politike që u bënë pjesë e shumicës, Gashi tha se nuk është mirë që partitë shqiptare të futen në qeveri pa parime.
“Un sot e parashtroj pyetjen: Çfarë bën BDI-ja dhe shqiptarët që sot janë pjesë e Qeverisë së Zaevit? A e din ndonjë shqiptar me tregu se cila është arsyeja që janë futur ato aty? A kanë shpallë ndonjë dokument, a kanë shpallë ndonjë arsye pse janë aty? Si mund ne si shqiptar ose votuesit e tyre, si mund të përcjellim punën e tyre a i realizojnë premtimet apo jo? Zoran Zaevi ka dalë me program qeveritar dhe ka thënë se kjo është agjenda ime, shqiptarët çfarë bëjnë aty?”, tha sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi.
I pyetur për opsionet e mundshme për zgjedhjet lokale që do të mbahen në muajin tetor, Gashi tha se të gjitha çështjet janë të hapura, duke shtuar se Lëvizja BESA akoma nuk ka ndonjë vendim përfundimtar. Megjithatë, Gashi tha se BESA nuk do të rrezikojë fitoren e kandidatit shqiptar në komunat ku kjo gjë vihet në pikëpyetje.
“Ne dëshirojmë të marrim pjesë, të kandidojmë në çdo komunë shqiptare, përveç në komunat në të cilat rrezikohet që kryetarët e komunave të jenë shqiptar. Këtu do të jemi shumë të kujdesshëm. Më shumë do të insistojmë që të ketë kryetar shqiptar dhe nëse kërkohet edhe tërheqje e BESËS ose kandidat konsensual, jemi të gatshëm që të bëjmë lëshime dhe mendoj që duhet të hapet një dialog lokal për vendbanime të caktuara”, theksoi Gashi.
Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, theksoi se për të, nuk është e patjetërsueshme që kandidatët për kryetarë komune të bartin librezën partiake. Nëse një njeri respekton parimet e vendosura nga BESA, theksoi ai, libreza partiake është në plan të dytë.
Gashi: BDI dhe Aleanca hynë në Qeveri pa… by tvshenjaofficial