Bashkimi Evropian ka paraparë 845.000 euro buxhet për komunat në vend, me qëllim të forcimit të partneritetit mes qeverisë lokale dhe shoqërisë civile. BE për këtë qëllim ka investuar gjithsej 10 milion euro për “programin rajonal për demokraci lokale në Ballkanin perëndimor”, që i përfshinë gjashtë vende dhe territore të Ballkanit perëndimor.
Shefi i repartit për bashkëpunim në BE, Nikolla Bartolini, tha se qëllimi i këtij programi është forcimi i pjesëmarrjes së demokracisë lokale, me çka do të mundësohet bashkëpunim me organizatat qytetare për projekte sociale dhe integruese.
“Qasja në Bashkimin Evropian nuk është vetëm proces i gjatë i rregullimit dhe përshtatjes të rregullativës ligjore, por po ashtu më shumë është një proces i përmirësimit të përfitimeve të qytetarëve. Gjetje e mënyrave më të mira për bashkëpunim më të mirë mes organizatave të shoqërisë civile dhe qeverisjes lokale është një prej mënyrave nëpërmjet të cilave qytetarët kanë dobi”, deklaroi Bartolini.
Projekti do të zbatohet nga ana e programit për zhvillim të kombeve të Bashkuara UNDP-së, ndërkaq përfaqësuesja e përhershme e saj, Luiza Vinton, tha se organizatat qytetare të cilat punojnë në nivel lokal kanë nevojë për më shumë resurse dhe të njejtat duhet të zhvillojnë mënyra më transparente dhe të bazuara në merita gjatë ndarjes së mjeteve për organizatat qytetare.
“Kemi një numër të madh të komunave të cilat janë të gatshme të ndihmojnë, t’i mbështesin organizatat e shoqërive civile, por një numër i madh i atyre mjeteve kanë shkuar për aktivitete sportive. Mungojnë procedura dhe rregulla të qarta, sipas të cilave komunat I ndajnë këto mjete…Ky program i merr parasysh të gjitha këto sfida që t’i përmirësojë kushtet e organizatave të shoqërisë civile, e përmes tyre jetën e qytetarëve në komuna, duke u fokusuar në njerëz që kanë nevoja të vërteta si, njerëz të varfër, njerëz pa kulm mbi kokë, dhe të ngjajshme”, tha Vinton.
Ajo shtoi se programi i ri do të punojë me të dyja palët që të gjejë zgjidhje për këto sfida dhe në të njejtën kohë, do ta ndjek zbatimin e një numri të madh të projekteve me interes publik në komunat e zgjedhura.
Gjatë tre viteve të ardhshme, nëpërmjet projektit “Programi rajonal për demokraci lokale në Ballkanin Perëndimor”, pritet që BE të ndihmojë që të financohen dhe të zbatohen rreth 200 projekte me interes publik ne Ballkanin Perëndimor, me të cilat do të përmirsohen kushtet dhe kualiteti i jetesës të mbi 40.000 personave.
Ajnur Bafqari
BE vazhdon të mbështesë Komunat dhe OJQ-të by tvshenjaofficial