Kolegë te gazetës ‘Zaman’,
Porosinë nga ju e morëm. Dhe ne e lexuam drejtë se në reagimin tuaj me titull “NJOFTIM I RËNDËSISHËM PËR OPINIONIN NGA REDAKSIA E GAZETËS ZAMAN MAQEDONI” ju nuk keni për qëllim të merreni me shkrimin e botuar në portalin tonë, e që ka të bëjë me gazetën tuaj, por doni të akuzoni, të përbuzni dhe t’i nënçmoni gazetarët e bashkëpunëtorët e Almakosit, ata që me vite dhe ndershëm i kanë shërbyer këtij profesioni.
Andaj në reagimin tuja, në vend se t’i nënvizoni të ‘pavërtetat’ që i themi për ju, silleni si ndonjë autoritet i lartë, që i përcakton mediat që e meritojnë atë emërtim dhe atyre të rangut për nën thonjëza. Dhe nëse ne jemi ‘media’, e ju jeni media, atëherë pse aq shumë ju shqetësojnë shkrimet tona?
Pastaj, ju nuk hamendësoni, por konstatoni se ne jemi në “shërbimin e një ideologji të caktua”, që do të thotë se ju e dini për cilën ideologji behet fjalë, por nuk ua thoni lexuesve. Dhe mënyra e konteksti në të cilin e pohoni atë konstatim, nënkupton se jemi në shërbim të ndonjë ideologjie destruktive për shtetin tonë dhe për botën, gjë të cilën shpresojmë se do ta arsyetoni në institucionet e drejtësisë, ku do kërkojmë mbrojtje nga shpifjet e tilla, të thëna në këtë kohë kur bota përballet me lloj-lloj ideologji nga më shkatërrimtaret.
Kolegë të gazetës ‘Zaman’, kalimthi ua bëjmë me dije se është shumë jokorrekte që në reagimin tuaj, lidhur me tekstin e botuar në portalin tone, ju të denigroni edhe shtetin “diktatorial të Lindjes së Mesme, i cili me pohime të pavërteta shpall terroristë, i torturon, i anulon pasaportat dhe i konfiskon pronat e mijëra gazetarëve, akademikëve, punëtorëve, bujqve, arsimtarëve, studentëve, amvisave etj.”, por pa treguar se cilit shtet i referoheni, me çka lini mundësinë që lexuesit të dyshojnë në cilindo shtet të atij regjioni.
Andaj, ju rekomandojmë që kur e krahasoni Maqedonisë – si shembull i shtetit demokratik dhe i së drejtës – me ndonjë shtet të Lindjes së Mesme, të jeni më konkret, se dikush, mund të mendojë për cilindo shtet të këtij rajoni, si për shembull, për Turqinë mike të Maqedonisë, pa pëlqimin e së cilës, vendi ynë kurrë nuk do mund të anëtarësohet në NATO. Pra dikush mund të mendojë se ju, si media e Maqedonisë, ndërhyni dhe merreni me punët e brendshme të ndonjë shteti mik të vendit tonë.
Dhe në fund diçka që duhej thënë që në fillim: reagimi juaj ka frymën partiake dhe na tingëllon si i shkruar në selinë e BDI-së! Andaj ua përcjellim një rekomandim miqësor: keni kujdes, sepse partitë i përdorin mediat si kazanë, ku e hedhin dhe e fshehin plehun e vet. Me çka pastaj qelben mediat, e jo partitë!
/R.M/ Almakos.com