Pas sistematizimit të 80 administratorëve në Qeveri, vetëm 2 javë para largimit të qeverisë së vjetër, ekipi i ri qeveritar i Zoran Zaevit njofton krehjen e gjithë punësimeve si dhe sistematizimeve të punonjësve të administratës. Siç mëson ALSAT, një grup pune është krijuar tashmë për këtë çështje, i cili përfshinë përfaqësues të lartë, që nga vetë Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë Dragi Rashkovski e deri te ekspertë nga Ministria për Shoqëri Informatike e Administratë. Ende mbetet e paqartë mënyra e punësimit të 80 administratorëve, 2 javë pas largimit të qeverisë së vjetër, ligjshmëria e sistematizimit duke ditur se qeveria në largim ishte vetëm teknike, dhe as fakti nëse janë shkelur apo jo dispozita ligjore në këtë kuadër. Një gjë e tillë u shpalos publikisht nga vetë Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë Rashkovski.
Ja unë po mundohem për një person që ka shkollën e mesme të muzikës në këndim solo se si t’i gjej punë dhe angazhim në Sekretariatin e Përgjithshëm në bazë të profesionit dhe arsimimit të tij- deklaroi Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë Dragi Rashkovski.
Dilemë e qeverisë së re duhet të jetë edhe filtrimi dhe sistematizimi i të gjithë administratorëve. Në shumë raste, ministrat e rinj kanë marrë rreth vetes administratorë, duke i tërhequr nga sektorë të tjerë, pavarësisht se këta administratorë kanë pasur eksperiencë pune krejtësisht tjetër nga sektorët ku janë transferuar. Edhe kjo lëvizje mbetet e paqartë se në bazë të cilave kritere janë bërë. Borçe Davitkovski, hartues i ligjit të fundit për Administratën thotë Qeveria e re duhet të rishqyrtojë ligjet në bazë të cilëve bëhet ri-sistematizimi i administratorëve.
Strategjia për zhvillim për pesë vitet e ardhshme duhet të shqyrtohet për vitet 2017-2023, sidomos vendosja e të punësuarve në kuadër të administratës. Unë shpresoj se ndoshta do të ndryshohen dhe rishqyrtohen disa dispozita ligjore, eventualisht pjesa e vlerësimeve, pjesa e testimeve… ky është vendim politik, se si do të veprojë qeveria, do të vendosë ashtu do të bëhet dhe ligji. Mendoj se kjo duhet të rishqyrtohet, dhe pres në dy-tre muajt vijues të mësojmë qëndrimin dhe në cilin drejtim do të shkojnë ndryshimet- tha profesori Borçe Davitkovski.
Davitkovski më tej shtoi të gjitha Ministritë që pranojnë të punësuar të rinj, duhet t’u përmbahen rregullave ligjore dhe mos të punësojnë kuadro të pakualifikuar dhe pa njohuritë e nevojshme profesionale për një vend të caktuar pune. Në kuadër të kësaj, Ministri i Administratës Damjan Mançevski paralajmëroi reforma dhe ri-sistemim të të punësuarve nga administrata publike dhe kuadrot e reja, sipas tij do të pranohen në bazë të cilësive të tyre profesionale.
Blerim Ismaili