Kryeprokurori Marko Zvërlevski do të shkarkohet. Me shumicë votash Këshilli i Prokurorëve ka pranuar kërkesën e Qeverisë për shkarkimin e tij dhe siç mësohet, vetëm kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski ka qenë kundër tetë mendimeve pozitive të anëtarëve. I pyetur për këtë fakt, Anevski nuk mohoi qartë por vetëm pyeti gazetarët se prej ku e kanë informatën për votimin 8 pro ndaj 1 vote negative.
“Me shumicë votash u deklaruam pozitivisht për propozimin e Qeverisë. Ne që tani do të dërgojmë mendimin deri tek Qeveria me një arsyetim të shkurtër, ashtu siç e kërkon ligji…Nuk e di prej ku e keni këtë informatë, unë tani dola i pari. Votimi ishte me shumicë votash”, deklaroi Petar Anevski, kryetar i Këshillit të Prokurorëve.
Anevski edhe sot vazhdoi ta mbrojë Zvërlevskin duke thënë se ai është një prokuror i mirë dhe duhet kuptuar se nuk ka mundur të arrijë të kontrolloj gjithçka që hetohet në prokurori.
“Ishte thjeshtë mendim. Ndoshta jam shprehur në superlativ për prokurorin, por është i mirë, po e them përsëri. Këtë mendim e ndajnë edhe shumica e anëtarëve të Këshillit dhe nuk ka ndonjë vërejtje për punën e tij. Por kur Qeveria jep propozim ne duhet të japin përgjigje pozitive ose negative…Prokurori nuk mund të arrijë gjithkund. Ai nuk punon në lëndë konkrete por punojnë prokurorët”, tha mw tej Anevski.
Sipas procedurës, Kuvendi duhet të shkarkojë Zvërlevskin me shumicë të thjeshtë prej 61 votave, ndërsa më pas do të shpallet një konkurs për përzgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Derisa të zgjidhet prokurori i ri, ushtrues detyre do të jetë Xhelal Bajrami i cili është zëvendësi i parë i Zvërlevskit.
Qeveria, më 6 qershor vendosi të iniciojë procedurë për shkarkimin e Prokurorit Publik Republikan Marko Zvërlevski dhe propozimin për shkarkimin e tij e dorëzoi deri tek Këshilli i Prokurorëve Publik për të kërkuar mendim.
Prokurorët i thanë “Po” shkarkimit të Zvërlevskit by tvshenjaofficial