Aftësia e kufizuar përbën një lëmi të gjerë. Në brendësi të saj bëjnë pjesë disa kategori të aftësisë së kufizuar, si në aspektin fizik, mendor, të shqisave të të ndëgjuarit, të të pamurit. Personat që posedojnë një aftësi të këtillë, në jetën e përditshme përballen me sfida nga më të ndryshmet, si nëpër institucione, po ashtu edhe në rrugë. Sefer Hiseni, një person me aftësi të kufizuar njëkohësisht edhe kryetar i shoqatës së invalidëve “Shpresa”, tregon për përditshmërinë e tij dhe vështirësitë në të cilat i hasë.
Hiseni shpreh brengën për problemin që ekziston në momentin që duan të kenë qasje nëpër institucione, për nga jashtë sipas tij në shumicën e institucioneve është e zgjidhur kjo çështje, por kur vije puna për qasjen në enterier, aty fillojnë vështirësitë e para.
“Personat me aftësi të kufizuar të cilët kanë vështirësi fizike kanë vështirësi në qasje nëpër institucione publike, ku nuk ka qasje të brendshme. Kur them interieri i brendshëm, të marr shembull komunën tonë. Komuna ende nuk ka ashensor për t’u ngjitur lartë, ka akses të jashtëm, por nuk ka akses të brendshëm. Të marrim shkollat fillore, të mesme, të gjitha institucionet publike arsimore, kulturore, të marrim edhe teatrin e fëmijëve në Çarshinë e Vjetër, ta marrim edhe Teatrin Kombëtar Shqiptar”, ka deklaruar Sefer Hiseni, shoqata e invalidëve “Shpresa”.
Ndërsa, sa i përket përfaqësimit të këtyre personave, nëpër institucione, Hiseni thotë që me keqardhje duhet potencuar se përfaqësimi është ende minimal. Një problem tjetër me të cilin ata përballen është se në pjesën qendrore të Qytetit të Shkupit janë të rregulluara semafora me zë, por nga ana e pjesës së banuar me popullatë shqiptare kjo nuk është e rregulluar. Por, problemi sipas tij nuk përfundon me kaq, pasi edhe urbanizmi tek lagjet shqiptare nuk është i rregulluar, komunikacioni është shumë dendur, ndërsa korsitë e ndërtuara enkas për persona që kanë të dëmtuar shikimin të cilat shihen në lagjet e banuara me popullsi maqedonase, të njëjtat nuk ekzistojnë nëpër lagjet shqiptare, madje Hiseni konsideron se lagjet shqiptare janë të rrezikshme për lëvizjen e personave që kanë aftësi të kufizuara.
Çuditës ishte fakti se shumë semafora të cilat e posedojnë sinjalin me zë, asnjëri prej tyre sot nuk funksiononte. Zemrijete Bela, nga shoqata joqeveritare “Imago Plus”, shoqatë që trajton personat prej 18 muajsh deri në moshën 40 vjeçare. Gjatë kontaktit të përditshëm me persona me aftësi të kufizuar, ajo përmendi vetëm disa nga problemet të cilat i tangojnë këto persona.
“Pasi që fëmija të diagnostifikohet me diagnozë nga Shtëpia e Shëndetit Mental, ka të drejtë të shfrytëzoj udhëtimin me anë të autobusit të cilën e jep qyteti i Shkupit, por këtu vështirësit më të mëdha i kemi në atë se…në dokumentin i cili jepet nga ShShM, shkruan që preferohet të jepet me shoqërues…siç e dijmë se një fëmijë me aftësi të kufizuar nuk mund të kaloj rrugën vetëm, apo të shkoj nga një vend në tjetër…Një problem tjetër që mund ta themi është pjesa e shtesave që jepet nga MPPS, kemi pasur ankesa nga prindët që pasi një fëmijë me aftësi të kufizuar me autizëm ose që ka qenë i diagnostifikuar me autizëm, pas një kohe i ndërpritet kjo shtesë”, deklaroi Zemrijete Bela, shoqata joqeveritare “Imago Plus”.
Ndaj gjithë personave me nevoja të posaçme ata kanë një porosi që, asesesi nuk të mos mbyllen nëpër shtëpi dhe t’i dorëzohen presionit të shoqërisë, por përkundrazi ata duhet të jenë të përfshirë gjithkund, duke i thyer të gjitha barrierat, sepse vetëm në kët mënyrë, mund të kemi një shoqëri të shëndosh ku të gjithë njerëzit jenë të barabartë dhe funksionojnë si të tillë, për shkak se personat me aftësi të kufizuara janë thjeshtë njerëz që natyra i ka krijuar në një mënyrë të veçantë.
Emine Ismaili