Dyqind metra. Aq janë larg dy kabinetet, i Koço Angjushevit, njëri prej ku menaxhon me postin e zëvendës-kryeministrit në qeveri, tjetri nga ku i menaxhon disa kompani që ai i zotëron. Sipas të dhënave të fundit, Angjushev është drejtor në gjithsej shtatë persona juridik, praktikë që nuk lejohet sipas ligjit për konflikt interesash. Zëvendëskryeministri ka pranuar të flasë hapur mbi këtë temë dhe thotë se ka filluar procedurën që ta respektojë ligjin.
Sigurisht, atje ku bëhet biznesi, d.m.th. nga kompanitë, unë do të tërhiqem nga pozitat menaxheriale. Jam i lumtur që në kompanitë e mia kishin ndërtuar kapacitete të menaxherëve të cilët mund ta marrin përsipër menaxhimin. Në fakt ata e bëjnë këtë edhe tani. Unë isha shumë pak i përfshirë në punën e përditshme të kompanive – deklaroi Koço Angjushev.
Zgjedhja e biznesmenit Angjushev për zëvendëskryeministër të ekonomisë ka hapur çështjen jo vetëm të konfliktit të interesit, por edhe çështjen e konfliktit të koncepteve në ekipin ekonomik të qeverisë së re. Ministri i Financave Dragan Tevdovski haptazi i përfaqëson idetë që janë më afër punonjësve se sa te kapitali, ndërsa këshilltari i tij Branimir Jovanoviq ishte kundër zgjedhjes së një zëvendës kryeministri nga radhët e biznesit, para se ta zgjedhin Angjushevin.
Në propozim programin e qeverisë së re, keni masa si rritje e pagës minimale ose futjen e një tatimi progresiv apo rritje të të drejtave të punonjësve. Ai që është më shumë kundër këtyre masave është sektori i biznesit, gjithmonë dhe kudo. Prandaj, si do të sillej një zëvendëskryeministër ndaj masave të tilla? Unë nuk mendoj se ai do ti pranonte. Ai me siguri do të përpiqet ti pengojë, do të jetë kundër këtyre masave – tha Branimir Jovanoviq.
Zëvendëskryeministri tha se bashkëpunimi me Ministrin e Financave është i shkëlqyer dhe se nuk kanë dallime në objektivat.
Mendoj se ne duhet të jemi të vetëdijshëm se edhe pronarët e kompanive dhe punonjësit në kompanitë kanë një qëllim të përbashkët, se si ato kompani të jenë më të suksesshme dhe ne do të orientohemi drejt asaj. Ju mund ta bëni rritjen e pagave vetëm si një masë administrative, pa iu ndihmuar kompanive që të mund ta përballojnë atë – u shpreh Koço Angjushev, zëvendëskryeministër për Ekonomi.
Nga të gjitha bizneset që i posedon dhe me të cilat menaxhon Koço Angjushev ndoshta më akute për zgjidhje është pjesëmarrja e tij në EDS- kompaninë që importon energji elektrike nga jashtë dhe pastaj e shet të njëjtën, ndër të tjera, edhe MEPSO-s shtetërore. Zëvendëskryeministri tha se në emër të besueshmërisë së biznesit nuk mund të ndajë detaje çfarë do të ndodhë me të, por siguron se zgjidhja do ti kënaqë të gjitha palët.
Alsat-M