Para votimit që do të mbahet nesër, me propozim të eurodeputetit Ivo Vajgl, Parlamenti Evropian do t’i rishikojë raportet e përparimit për Maqedoninë, Serbinë dhe Kosovës në rrugën e tyre drejt BE-së.
Në projekt-rezolutën për Maqedoninë qëndron se drejt rrugës për BE vendi duhet të ndërmarrë hapa vendimtar në reformat në gjyqësor, korupcionin, të drejtat e njeriut, punët e brendshme dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore.
Kujtojmë që tre eurodeptetët Eduard Kukan, Knut Flekenshtajn dhe Ivo Vajgëll, nëpërmjet një komunikate të përbashkët, patën thënë se tani që u formua Qeveria e re, presin që kjo rezolutë të votohet, ndërsa nga Qeveria e re ata presin që të punojë në rrugën drejt integrimeve Euro-Atlantike.
“Pas tre shtyerjeve për shkak të situatës politike, tani presim që seanca e Parlamentit Evropian për votimin e Raportit të vendit për vitin 2016 të mbahet në qershor, ashtu siç është planifikuar. Ne presim që Parlamenti Evropian të punojë me Kuvendin e Maqedonisë në përmbushjen e aspiratave të qytetarëve të saj dhe në reformat e nevojshme që vendi të merr hapa konkret drejt anëtarësimit në BE”, thonë eurodeputetët.
Eurodeputetët po ashtu kanë porositur partitë politike që të punojnë në interes të qytetarëve dhe në kthimin e besimin tek institucionet në vend.
“Shpresojmë që të gjitha partitë politike tani do të veprojnë në frymën konstruktive të pajtimit, në interes të përbashkët të të gjithë qytetarëve, dhe të punojnë me Qeverinë e re për rikthimin e besimit në vend dhe në institucionet e tij, përfshirë edhe implementimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinos dhe Reformat Urgjente Prioritare. Qytetarët e Maqedonisë tani më kanë pritur shumë gjatë dhe meritojnë që të shohin Qeverinë duke përparuar në këtë axhendë gjithpërfshirëse dhe reformuese”, thonë gjithashtu eurodeputetët.
Parlamenti Evropian me këtë Rezolutë e konfirmon rekomandimin e tetë pozitiv të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim, por me kusht të realizimit në tërësi të Marrëveshjes së Përzhinës dhe prioritetet urgjente reformuese të Komisionit Evropian./Almakos