Transparency International Maqedoni, ka bërë analizën e vendimeve finale të organeve të drejtësisë për 6 raste , për të cilat sic thuhet nga personat e përfshirë apo edhe familjarët e të njejtëve, ka pasur dyshime se është vepruar në mënyrë selektive.
Sllagjana Taseva nga TI Maqedoni, tha se bëhet fjalë për rastet: “Fallanga”, “Apollon”, “Likuidimi”,” Migrantët” dhe “Detonator”, ky i fundit është analizuar dy herë, për shkak se bëhet fjalë për dy persona, të akuzuarin J.M dhe të dënuarin S.S nga Koçani.
Analiza e këtyre lëndëve është bërë nga një ekip ekspertësh, të cilët kanë arritur në përfundimin se ka disa parregullësi në sjelljen e këtyre vendimeve ,si: nuk janë mundësuar të gjitha provat, madje as nuk ka pasur bazë me informacione të mjaftueshme për të sjellë vendim përfundimtar, Prokurorët Publik nuk kanë pasur qëndrim të qartë për grupin kriminal të fajësuar, politikë e fortë fajësuese etj.
“Është e domosdoshme se në këto raste hetimore të shqyrtohen edhe të dhënat të cilat merren në shqyrtim nga gjykatësit e këtyre rasteve e që kanë të bëjnë për vendin e ngjarjes së krimit. Ka rast se dënimi është bazuar në dëshminë e përgjimeve telefonike dhe në deklaratat që janë dhënë nga i dënuari në gjendje të dehur se do të vret personin e caktuar duke dhënën dhjetëra mijëra euro”, tha ish gjykatësja e Gjykatës Supreme në Maqedoni, Millka Ristova
“Kemi ardhur në përfundim se organizimi i grupit kriminal është trajtuar në mënyrë të papërshtatshme, joplotësisht është trajtuar rasti hetimor, ka pasur gabime në aktvendimet e këtyre rasteve ku janë sjell vendime të ashpra të pabazuara në fakte me çka është dhënë dënim me burg deri në 7.5 vjet”, tha Sllagjana Taseva nga TI Maqedoni.
Ekspertët thanë se qëllimi i këtyre analizave është rikthimi i besimit të qytetarëve dhe përmirësimi i gjendjes në sistemin e drejtësisë.
E pyetur nga gazetarët se a ka gjasa që në të ardhmen të jenë pjesë e këtyre analizave edhe rastet si” Lagjja e Trimave”, “Sopoti,” etj, Sllagjana Taseva, tha se nuk kanë momentalisht asnjë nga ato raste, sepse askush nuk i ka dërguar deri tek Transparenca Maqedoni. Për rastet e shqyrtuara në projektin “Të gjithë së bashku në rrugën e drejtësisë” është bërë kërkesë paraprakisht nga familjarët e të akuzuarit dhetë dënuarit në këto raste.
Ndryshe, këto janë 6 lëndët e para të cilat i kanë marrë nga TI Maqedoni për t’i analizuar në kuadër të projektit “ Të gjithë sëbashku në rrugën e drejtësisë”, por prej atje thonë se këto 6-të do t’i pasojnë edhe lëndë të tjera. Transparency International-Maqedoni dhe Shoqata për hulumtime “Zelena Lupa” kërkojnë nga pushteti i ri të rishqyrtojë politikën sanksionuese dhe ligjin për amnisti; ndërsa nga gjykatësit akt-vendime objektive, të bazuara mbi gjendjen e vërtetuar faktike.
Detaje për rastet e përmendura më sipër:
Gjykimi për rastin” Fallanga” u bë në vitin 2011. Gjykata Supreme në këtë rast 22 të pandehur i shpalli fajtorë për konspiracion kriminal, vjedhje të rëndë dhe trafikimit të paligjshëm të objekteve. Pra, bëhej fjalë për gërmim, gjetje dhe më pas shitje të artefakteve.
Kjo lëndë pati vazhdim nën kodimin “ Fallanga 2” disa nga të pandehurit në “Fallanga 2” kanë qenë dëshmitarë në gjykimin e parë për trafikimin e artefakteve.
Në rastin”Apollon” bëhet fjalë për grupin tetë anëtarësh, mbi të cilin rëndonin akuzat për vjedhje objektesh dhe ikonazh në vlerë të pallogaritshme. Mes, në atë kohë ( 2014), të dyshuarve kishte edhe shtetas bullgarë.Sipas policisë, “Apollon” ishte vazhdimi I rastit të mëhershëm “Fallanga”, ku 8 anëtarët e grupit kishin bërë gërmime paleje në disa lokacione në territorin e Maqedonisë.
Në rastin “Likuidimi”, të akuzuar ishin gazetari i “Nova Makedonija“ Tomisllav Kezharovski, gjykatësi nga Velesi Ile Tanevish gjykatësi hetues Valentin Zafirov, prokurori Ivica Efremov, gjykatësi në pension i gjykatës supreme Boris Nikollovski dhe avokati Sashko Llazarov. Këtu ngriheshin akuzat për mitmarrje, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe dhënien e paautorizuar të informatave si dhe të dhënave për dëshmitar mbrojtës.
Në rastin “Detonator” në këtë rast Gjykatat Themelore Shkup 1 i shpalli të fajshëm 15 personat e paditur për konspiracion kriminal, tentim për vrasje, mashtrim, kamatë, armëmbajtje pa leje dhe përgatitje për krim në Maqedoninë Lindore. Të dënuarit janë, biznesmenë, pronarë diskotekash dhe roje, ndërsa dënimet lëvizin nga një vit e tre muaj burgim deri në burgim të përjetshëm. Aksioni policor “Detonator”, i cili u realizua në disa qytete, rezultoi me burgosjen e 15 personave, shkarkimin e 13 shefave dhe komandantëve të policisë dhe konfiskimin e mbi 1000 aparateve për poker.(ky rast është analizaur dy herë, pasi që bëhet fjalë për dy persona)
Në rastin “Migranti”, i cili ka të bëjë me kontrabandimin e emigrantëve, 69 qytetarët e Afganistanit, Pakistanit, Irakut dhe Sirisë u gjetën të fshehur në një kamion “Mercedes” me regjistrim të Tetovës, i cili ishte ndaluar nga policia të hënën rreth 18 në autostradën Gjevgjeli – Shkup.
Evi Shkopi
Almakos.com