Delegacioni qeveritar i Maqedonisë i udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev sot(e hënë,12 qershor) po qëndron për vizitë zyrtare në Bruksel. Agjenda është e ngjeshur me përplotë takime në selitë e NATO dhe BE. Nga kabineti qeveritar thonë se qëllimi i kësaj vizite është që Qeveria t’i prezantojë prioritetet reformuese në agjendën e Qeverisë për ta kthyer vendin në rrugën e euro integrimeve.
“Unë, si kryeministër i respektoj porositë për mbështetje të Qeverisë së re që i mora këto ditë nga krerët e BE-së dhe të NATO-së. Qeveria punon me përkushtim dhe me plan konkret për reforma në bashkëpunim me institucionet e BE-së që ta kthejë vendin në rrugën evropianе, të punojë për të gjetur zgjidhje që t’i hapë kapitujt 23 dhe 24, të cilët janë të rëndësishëm jo vetëm në procesin e bisedimeve për anëtarësim, por edhe për reformat brenda vendit”, theksoi kabineti i Zoran Zaev.
Në listën e prioriteteve janë reformat dhe përmbushja e reformave sipas rekomandimeve të raportit të Pribesë.
Përkrahë Zaevit në takimet në Selinë e NATO-s dhe BE do të jenë Ministrja e mbrojtjes Radmilla Shekerinska, Zëvendëskryeministri për euro integrime Bujar Osmani dhe Ministri i punëve të jashtme Nikolla Dimitrov, ndërsa agjenda e takimeve është me sekretarin e përgjithshëm të NATOs, Jens Stoltenberg, kryetarin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Frederika Mogerini, dhe Komesarin për zgjerim Johanes Han.