Nostalgji dhe gëzim. Përmallim dhe shpresë. Të gjitha këto në një vend, në një sofër. Takimi i miqve dhe fqinjëve të vjetër në oborrin e shkollës, në vendin ku kishin kaluar bashkë fëmijërinë, edhe këtë vit ngjalli emocione të veçanta për ish-banorët dhe banorët aktual të fshatit të Koliçanit të epërm. Një iftar tradicional që organizohet tanimë 19 vite me radhë, mbledh në një vend banorët e këtij fshati pothuajse të boshatisur. Të moshuarit rikujtonin kohërat kur lulëzonte jeta në fshatin në të cilin tani janë të banuara vetëm 60 shtëpi, duke numëruar gjithsej rreth 300 banorë aktual. Një numër shumë i madh i familjeve të shpërngulura nga ky fshat, sot jetojnë në Shkup, duke mbajtur akoma lidhjet me fshatin e prejardhjes. Mirëpo, ka edhe nga ata banorë me prejardhje nga Koliçani që sot jetojnë në Turqi, Evropë, Amerikë dhe Australi. Të gjithë ata që kanë mundësi, vijnë në fshatin e prejardhjes të paktën në ditën kur organizohet iftari i përbashkët.
“Mesazhi i iftareve dihet, është bashkimi i bashkatdhetarëve. Kemi prezent sonte prej të gjitha viseve dhe prej fshatrave përreth. Kemi edhe bashkëfshatarë që kanë ardhur prej Turqisë, ishte kënaqësi për ato që ishin sot këtu”, thotë Ferid Mustafa, njëri nga banorët e fshatit.
Banorët janë organizuar në një këshill, në mënyrë që të menaxhojnë sa më mirë punën. Kryetari i këshillit të fshatit, Ismet Mustafa, thotë se interesimi për iftarin tradicional rritet nga viti në vit.
“Është citi i 19-të që organizohet, kështu që ne si këshill e kemi përsipër për dy vite organizimin e kësaj që e kemi trashëgimi nga këshilli i mëhershëm. Këtu bëhet pikëtakimi i të gjithë bashkëfshatarëve tonë, të cilët e kanë prejardhjen prej Koliçanit të epërm por jetojnë në Shkup apo në ndonjë qytet tjetër, apo siç kishim rastin që kanë ardhur prej Turqisë enkas për iftarin tradicional“, thotë kryetari i këshillit, Ismet
Organizatorët theksuan se ky iftar është mundësuar falë vullnetit të mirë të banorëve dhe afaristëve nga ky fshat, të cilëve u janë mirënjohës. Banorët thonë se ky aktivitet, në masë të madhe ka kontribuuar në rigjallërimin e fshatit, duke përçuar kështu edhe mesazhin se nuk duhet harruar prejardhja.
>
Iftari që mbledh në një vend banorët me… by tvshenjaofficial