Shumica parlamentare prej 62 deputetëve do të përballet me vështirësi gjatë punës se seancave kuvendore për shkak të numrit të ngushtë të deputetëve. Kjo u pa edhe në seancën e fundit e cila filloi me dy orë vonesë për shkak të mungesës së 61 deputetëve në sallë aq sa nevojiten për mbajtjen e seancës. Ish-deputeti Ismet Ramadani thotë se shumica gjithsesi se do të përballet me mungesë kuorumi, por për evitimin e kësaj pengese sipas tij mund të ndihmojnë aftësitë organizative të Kuvendit për grumbullimin e deputetëve, të paktën kur në rend ditë të jetë votimi i ligjeve pasi në seancë mund të mos jenë deputetët e opozitës.
Problemi qëndron në faktin se deputetët kanë aktivitetet të cilat nuk janë të lidhura vetëm me seancat e parlamentit. Këtu sipas meje do të paraqitet problem sidomos në aktivitetin ndërkombëtarë të parlamentarëve sepse edhe parlamenti ka rolin e vet të politikës së jashtme meqë ka Komision për politikë të jashtme, për euro integrime, pastaj pjesëmarrja në unionin interparlamentar dhe gjithmonë duhet të ketë kujdes krye parlamentari që ti caktojë seancat kur deputetët janë brenda shtetit ose janë në Parlament – deklaroi Ismet Ramadani, ish-deputet.
Mirëpo sipas Ish-krye parlamentarit Tito Petkovski nëse shumica parlamentare punon sipas Rregullores dhe tregon përgjegjësi gjatë seancave plenare, atëherë nuk pritet që gjatë votimit të ligjeve në sallën kryesore mos të jenë të pranishëm së paku 61 deputetë për të aprovuar këto ndryshime ligjore.
Nëse deputetët e shumicës parlamentare janë të përgjegjshëm, pa marr parasysh që janë në numër 62, asnjëherë nuk do ta çojnë punën që mos të munden të votojnë ndonjë ligj, që të themi se votohet me 61 deputetë, e jo me 2/3 e votave. Përse? Sepse Rregullorja jep mundësinë që debatet të zgjasin një, dy tre, katër apo pesë ditë, dhe një ditë të caktuar për votimin e ligjeve, dhe atëherë deputetët e shumicës parlamentare sigurojnë numrin e mjaftueshëm prej 61 deputetë, domethënë kemi një tepër. Kështu që nëse puna e Kuvendit është mirë e organizuar nuk duhet të kemi asnjë problem – tha Tito Petkovski ish-kryeparlamentar.
Se probleme mund të ketë dëshmon edhe fakti se VMRO-ja ende nuk ka formuar grupin parlamentar dhe kjo i jep mundësi të gjithë 51 deputetëve të saj që të marrin fjalën për ndërhyrje procedurale dhe me këtë të bëhet edhe zvarritja e seancave. Nga lëvizja Besa e cila ka pesë deputetë kanë thënë se do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit dhe se do të jenë konstruktiv për të gjitha ato ligje që janë pjesë e programit të saj por edhe në të mirë të popullatës, ndërsa do të kundërshtojnë zgjidhjet tjera që nuk ofrojnë perspektivë. Deri më tani Kuvendi ka mbajtur katër seanca, prej të cilave një është mbajtur për anulimin e testimit ekstern dhe zgjedhjet lokale ndërsa të tjerat për përfundimin e seancën konstitutive dhe zgjedhjen e qeverisë.
Blerim Ismaili