Fshatrat e harruara të rrethinës së Velesit, Prilepit dhe Krushevës, u vizituan mbrëmë nga karvani i Organizatës Kulturore Humanitare “Merhamet”. Banorët e këtyre anëve, ishin tejet falënderues ndaj kësaj iniciative, duke theksuar se askush nuk ndërmerr ndonjë nismë për të vizituar ata dhe se ndjehen të lënë pas dore. Banorët e vlerësojnë dhe janë falënderues për faktin që “Merhamet” nuk i harroi ata, duke qenë falënderues edhe për ndihmat e sjella, respektivisht pakot me produkte ushqimore.
“Si imam i fshatit Buzellakovë, falënderojmë Shoqatën Humanitare ‘Merhamet’ bashkë me ‘Gjysmëhëna e Kuqe’ të cilët bëjnë një organizim me ndarjen e ndihmave humanitare për këtë rreth”, tha imami i Buzellakovës, Nijazi Murati.
“Shoqata Humanitare ‘Merhamet’ në bashkëpunim me shoqatën ‘Gjysmëhëna e Kuqe’ kanë bërë shpërndarjen e pakove, për jetimët, skamnorët dhe për të varfrit në këtë muaj të shenjtë të ramazanit, në disa fshatra të komunës së Dollnenit dhe të Krushevës. Me këtë kanë bërë një hap të mirë, do të gëzojnë disa familje të cilat nuk kanë aq shumë ushqim për të ngrënë. Pra e falënderojmë shumë Organizatën Humanitare ‘Merhamet’ dhe ‘Gjysmëhënën e Kuqe’ nga Turqia”, tha një banor i fshatit të Cërnilishtes.
Vizita e fshatrave të rrethinës së Velesit, Prilepit dhe Krushevës, ishin pjesë e karvanit të filluar nga shoqata “Merhamet”, i cili planifikon të vizitojë të gjitha fshatrat dhe qytetet e Maqedonisë. Përfaqësues të kësaj shoqata, gjithashtu falënderojnë Gjysmëhëna e Kuqe Turke, Fondacioni Humanitar IHH nga Turqia dhe organizata ndërkombëtare VEFA nga Gjermania të cilat kanë përkrahur këtë projekt.
“Sot Organizata Kulturore Humanitare ‘Merhamet’ në bashkëpunim me Gjysmëhënën e Kuqe të Turqisë bëri shpërndarjen e pakove ushqimore për 3 komuna, edhe atë, komuna e Prilepit, Krushevit dhe Dollnenit”, tha Samedin Imeri nga organizata “Merhamet”.
Aktivistët e shoqatës “Merhamet” gjatë gjithë ditës vizituan dhjetëra fshatra, ndërsa në fund u organizua edhe një iftar në fshatrat e Prilepit.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Karvani i OKH “Merhamet” viziton fshatrat e… by tvshenjaofficial