Partia Demokratike Shqiptare nuk përjashton një takim mes kryetarit të tyre Menduh Thaçi me atë të BDI-së, Ali Ahmeti gjatë ditëve në vazhdim dhe thonë se kjo do të ishte në kuadët të takimeve të rëndomta mes pushtetit dhe opozitës. Nënkryetari dhe deputeti i kësaj partie, Bardhyl Dauti, thotë për televizionin Shenja se përfundimisht PDSH mbetet në opozitë dhe nuk do të pranojë të jetë pjesë e koalicionit qeveritar nëse mer ndonjë ofertë të tillë.
“Nuk ka asgjë konkrete, por një takim i tillë mes kryetarit dhe zotit Ahmeti mund të zhvillohet në kuadër të takimeve të rëndomta që zhvillojnë kudo në botë pushteti dhe opozita në të cilat mund të diskutohen tema të rëndësishme për shqiptarët. Por PDSH do të vazhdojë të artikulojë kërkesat e shqiptarëve dhe qëndrimet e saj në opozitë. Këtë vendim e kemi që kur ka filluar katrahura me deklaratën shqiptare dhe vazhdojmë ta mbajmë duke pritur se çfarë do të bëjnë deputetët të cilët nënshkruan këtë deklaratë dhe mbështetën Qeverinë e re. Ofertë konkrete për të hyrë në Qeveri nuk ka, por edhe nëse vjen nuk do ta pranojmë, mbetemi në opozitë. Këto janë qëndrimet tona për momentin dhe situatën”, tha Dauti.
Ndërkohë zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, ditë më parë njoftoi se Ahmeti dhe Thaçi kanë biseduar, por tha se nuk janë takuar ende. Ndërkaq nëpër koloaret politike dhe mediatike flitej se temë e bisedimeve mes Ahmetit e Thaçit është oferta ndaj këtij të fundit që edhe PDSH të jetë pjesë e Qeverisë.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka pasur bisedë telefonike me kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi, me kërkesë të liderit integrist, por nuk përjashtohen as takimet e intensifikuara mes Ahmetit e Thaçit, raporton Almakos.
Tani Aleanca e Ziadin Selës së bashku me BDI-në po ndajnë “kulaçin” e mbetur qeveritar, ndërsa Almakos eksluzivisht nga burime brenda BDI-së që negociojnë me PDSH-në, ka mësuar se PSDH-ja e Menduh Thaçit nuk ka kërkuar shumë pozicione, apo pozita ministrore, poste udhëhqese, por është e interesuar vetëm për reforma të thella që do çonin vendin drejt Eurointegrimeve dhe NATO-s.
Ndërkohë, po të njëjtat burime për Almakos në BDI pohojnë se Alenanca për Shqiptarët dhe Ziadin Sela, janë duke u treguar siç thonë ato “të pangopur” me kërkesat e tyre për funksionet shtetërore, me çka kanë nisur të shkaktojnë lodhje të madhe si te LSDM-ja ashtu edhe te BDI-ja.