Suzana Stojanovskën dhe djalin e saj Nokollën i takon pothujase në të gjitha aktivitetet ku kërkohen të drejtat e fëmijëve më aftësi të kufizuara, me nevoja të veçanta ose të hendikepuar. Në shoqëri të njëri –tjetrit, kapur për dore, ata erdhën edhe sot në konferencën për media të thirrur nga iniciativa qytetare “5 në 12”.
Nëna e trembëdhjetë vjecarit tha se vështirësit me të cilat përballet ajo, nuk njohin dallime feje apo nacionaliteti. Pikërisht lidhur me këtë, ajo tha se do të ishte shumë më mirë që në këto aktivitete të merrnin pjesë edhe prindërit shqiptarë që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara,madje këtë e dërgoi si apel deri tek të njejtit.
Sipas saj, sa më të bashkuar, aq më shumë dëgjohet zëri i tyre dhe ekziston mundësi më e madhe që kërkesat t’u plotësohen.
Sipas profesorit universitar, Musa Musai luajnë rol më shumë arsye në këtë mospjesmarrje aktive të prindërve shqiptar që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara/me nevoja të veçanta ose të hendikepuar.
Ai thotë, ekziston mundësia që edhe identitetin etnik ta shohin si pengesë të inkuadrimit të tyre, krejt me logjikën dhe praktikën e deritanishme në disa sfera tjera të jetës dhe të njëjtën e mendojnë se do ju ndodh edhe në këtë aferë dhe se mundi i tyre nuk do merret në konsideratë.
“Fillimisht do të përmendja se luajnë rol përvojat e pasigurisë që vet ata i kanë ndërtuar si skema dhe forma stereotipizuese. E them këtë për vet faktin se disa prej tyre mendojnë se do trajtohen në formë jo adekuate dhe se nuk kanë shumë qasje në këto çështje.
Një grup tjetër janë ata të cilat druajnë që të kuptohet jashtë ambienteve të tyre familjare që fëmija i tyre ka ndonjë hendikep. Dhe më tepër preferojnë që të njëjtët ti mbajnë të mbyllur dhe të kufizuar nga çdo një aktivitet social.
Kur është në pyetje inkuadrimi në ndonjë shoqatë, e interesuar për aktivitete ose edhe tentativa për të lehtësuar diçka në botën e fëmijëve me nevoja të veçanta, sërish del në sipërfaqe druajtja që mos jetë i kuptuar fëmija i tyre dhe arsyeja tjetër është se që në start formojnë një botëkuptim të gabuar se çka do kërkoj unë në ndonjë organizatë, dhe kinse më mirë është të merrem vet unë me të.”- tha profesori universita Musa Musai.
Si përfundim, professor Musai shton se të njejtët nuk duhet t’i gjykojmë, por të ju ofrojmë përkrahje dhe bashkëpunim me karakter social dhe t’i sqarojmë për disa çështje, përmes të cilave procesi i socializimit shoqëror do rezultojë më i suksesshëm.
Ndryshe, në konferencën për shtyp, Suaret Alishan, përfaqësues i iniciativës qytetare “5 në 12”,tha se nëser në orën 18:00 nga “Parku I gruas” do të përcillet mesazhi “NE MUNDEMI, DIMË,JEMI TË AFTË”. Kjo do të bëhet përmes organizimit të një ngjarje me përfshirje multimediale, ku parashihen aktivitete të shumëta, si: këngë, valla, interpretime. Alishan thotë se ata nuk duan të protesotjnë , por të tregojnë se janë këtu. Nga kjo iniciativë thonë se sa u përket kërkesave të tyre, të njejtat i kanë formuluar dhe se presin nga dita në ditë të thirren në bisedime nga Ministria Për Punë dhe Politikë Sociale, ndërsa javën e ardhshme do t’i dorëzojnë në Kuvendin e Maqedonisë.
Evi Shkopi
Almakos.com