“Pas kronikës së djeshme në televizionin Shenja për ta alarmuar gjendjen e rrugës këtu në bulevardin ‘Xhon Kenedi’, pasi si pasojë e shiut të rrëmbyeshëm ishte shkaktuar shembja e dheut dhe ishte hapur një gropë në asfalt, mëngjesin e sotëm mund të shihen makineritë të cilat po punojnë për ta sanuar këtë problem”.
Tre ditë pas shiut, makineritë punën e filluan sot, edhe pse nga Qyteti i Shkupit thanë se që dje do të merrnin masa për ta rregulluar problemin në këtë rrugë.
Qytetarët e intervistuar gjatë ditëve të kaluara ndjeheshin shumë të rrezikuar nga kjo gjendje dhe ankoheshin për dëmet që u janë shkaktuar veturave gjatë këtyre ditëve. E theksonin edhe faktin se janë mësuar me situata të këtilla pasi sipas tyre populli është ai që çdo herë i vuan pasojat nga dështimet e pushtetarëve.
Ndërkohë, kujtojmë që projekti për ndërtimin e kanalizimit të ri atmosferik dhe për riparimin e rrugëve në bulevardin “Xhon Kenedi”, u shpalos një vit më parë dhe planifikohej që të përfundonte për tre muaj. Përkundër kësaj, projekti u stërzgjat duke u ndërprerë dhe rifilluar përsëri disa herë. Ndërsa, përfundimisht punimet mbaruan vetëm para një muaji e gjysmë. Kryetari i Qytetit të Shkupit atë kohe premtonte se ky asfalt do të ishte i sigurt për 15 vitet e ardhshme, por shiu e vërtetoi të kundërtën, ku si pasojë e punës jocilësore u hapën disa gropa në mes të asfaltit, të cilat kanë qëndruar disa ditë edhe atë pa ndonjë sinjalizimin që do t’i paralajmëronte vozitësit për kujdes.
Emine Ismaili