Dhjetëra shtëpi tërësisht të izoluara nga balta, shumë rrugë të bllokuara, dy ura të shkatërruara dhe sistem i shkatërruar i ujësjellësit të fshatit. Ky është bilanci i përmbytjeve të një natë më parë në Poroj të Tetovës.
“Të bllokuar nëpër oborre dhe bodrume me baltë dhe ujë, siç e shihni kështu janë edhe rreth 30 shtëpi në dalje të fshatit Poroj të Tetovës të cilët kërkojnë që me urgjencë t`iu hapet një rrugë për rastet emergjente, që të kenë mundësi të kalojnë me makina”.
“Kemi disa shtëpi komplet të bllokuara dhe shikojmë rrugë ka mund të depërtojë një ekskavator për të bërë sadopak pastrim rrugësh”.
“Për të pirë ujë nuk kemi por s`kemi as për higjienë, unë nuk e di përse nuk na sjellin uji me cisterna”.
“Të izoluar janë njëqind e kusur shtëpi këtu gra burra nuk kanë ujë për pije”.
Ndërmarrja Publike Komunale ndërkohë ka premtuar furnizimin e banorëve me ujë të ambalazhuar, pasi cisternat nuk janë higjienike.
Ne bëjmë çmos me anë të kompanive që të çojmë ujë për pije të ambalazhuar dhe besoj para iftarit do arrin edhe kontejnerët e parë me ujë – deklaroi Xhelal Ceka. drejtor i NPK Tetova.
Pastrimi nga përmbytjet ka filluar, por shkon shumë ngadalë. Ndërkohë po punohet në mënyrë intensive për tu gjetur gypat e sistemit të ujësjellësit, të cilat përmbytjet i kanë shkatërruar tërësisht.
Bashkim Sulejmani