Nxënësit dhe studentët mirëpritën heqjen e testimit ekstern nga ana e Qeverisë së re. Por sa i përket teksteve shkollore përmirësimit dhe përdorimit të tyre ata shprehen pesimist se kjo Qeveri me këto ministra (në veçanti) ministrat shqiptarë, mund të bëjnë një gjë të tillë, shkruan gazeta Lajm.
Fuad Ibrahimi, i cili ishte edhe pjesë e organizimit të protestave kundër testit ekstern, si nxënës, pohon se vendimi për heqjen e testimit ekstern është mirëpritur nga nxënësit e shkollave të mesme dhe fillore, testim ky që ishte vetëm në dëm të nxënësve.
I pyetur se a beson se qeveria e re do të bëj ndërhyrje, përmirësim në tekstet shkollore në gjuhën shqipe ai tha:
“Jam pak pesimist për atë që Qeveria mund ti rregullojë testet shkollore, sidomos ato Shqipe: 1. Do duhej kohë më e gjatë për realizim të tërësishëm, pra ky duhej të ishte proces, 2. Jam skeptik, se si do presim nga kjo qeveri të marrë një iniciativë të tillë kur po këta pjesëtar të qeveris (pjesa shqiptare) lejuan që tekstet shkollore shqipe të jenë të shkruara edhe nga shkrimtar maqedonas. (Shembull: Libri i historisë për shkolla fillore është i shkruar nga Historian maqedonas, dhe vetëm është përkthyer)”.
Ai mendon se duhet të ketë një iniciativë, një tryezë të rrumbullakët të Gjuhëtarëve, Akademikëve, që të kenë mundësi te sjellin standarde për përdorimin e gjuhës, njëherit edhe rishqyrtimin e të gjitha teksteve shkollore, filloriste dhe ato për nxënës të shkollave të mesme.
“Kështu do krijohej mundësi që profesorë profesionist të kenë mundësi të përkthimit të librave pse jo edhe shkrimit të tyre, e me këtë të krijohej mundësi që të futen në plan programet e shkollave. Megjithatë të shpresojmë për mirë, që të bëhet mirë”, përfundoi Ibrahimi.
Nxënësi i shkollës së mesme ekonomike “Arseni Jovkov”, Nusret Kamberi, mendon se vendimi i parë i Qeverisë së re për heqjen e testimit ekstern nga shkollat e mesme dhe ato fillore , ishte një vendim i drejt dhe i saktë, për shkak se ky testim nuk kishte asgjë pozitive, por vetëm shfaqte frikë dhe panik tek nxënësit dhe gjoba tek arsimtarët/profesorët.
“Problemi tjetër në Arsim janë edhe tekstet shkollore, ku librat shqipe janë me shumë gabime, pasi që vetëm janë përkthyer automatikisht nga gjuha maqedonase dhe nuk i kanë shikuar se a kanë ndonjë gabim a jo. Unë pres nga Qeveria e re, konkretisht Ministria e Arsimit që të ndërmerr hapa të shpejtë në zgjidhjen e këtij problemi dhe prej vitit të ardhshëm shkollore, të kemi Libra pa gabime nëpër tekstet shkollore në gjuhën shqipe”, pohoi Kamberi.
Xhenur Iseni, politolog, për gazetën Lajm thotë se për të dëshmuar kjo qeveri epitetin reformatore nuk duhet të lejojë ekzistimin e teksteve shkollore me gabime dhe përmbajtje antishqiptare.
“Tekstet shkollore ishin nën patronazhin e Qeverisë VMRO-BDI që domethënë bashkërisht i kanë zbatuar projektet, dhe heqja eventuale e teksteve shkollore nuk e amniston BDI-në nga “krimi” i teksteve shkollore për të “vrarë” historinë shqiptare, sepse ato tekste kanë qenë të mbushura me shpifje dhe gënjeshtra për prejardhjen e shqiptarëve si dhe shumë të tjera. Pra, për heqjen eventuale të teksteve nuk duhet përshëndetur BDI, por kryeministri Zaev sepse me këtë ai edhe në vepër do të dëshmonte se është kryeministër i gjithë qytetarëve”, deklaroi Iseni.