Shkup, 5 qershor
Ajo që bën përshtypje në Maqedoni, në skemën e transmetimeve të 11 operatorëve në nivel shtetëror janë numri i madh i orëve, mbi 21 mijë orë, filma. Dhe një shifër qesharake për orët e transmetimit në kategorinë e artit dhe kulturës, apo edhe programit edukativ – shkencor dhe sportiv. Sipas profesor Ali Pajaziti rregulli që zbatohet për programet televizive është se të gjithë pronarët televiziv punojnë për diçka të vlefshme, që nxjerrim nga kjo veprimtari.
“Televizionet veprojnë dhe reagojnë sipas kërkesës, gjegjësisht përfitimit ekonomiko-financiar, pra edhe skedën programore e bëjnë në bazë të shikueshmërisë. Emisioni më i shikuar, më tepër para. Dhe në këtë drejtim, serialet dhe debatet politike janë më të shikuarat, në veçanti të parat, të cilat kanë një audiencë të të gjitha moshave, nga fëmijët deri te pleqtë në moshë të thellë. Tërheqshmëria, bashkë me intrigat dhe ekzotiken, e filmave serikë është një fenomen që do analizë shumëpërmasore (shkencore), gjë që bëhet në vendet e ndryshme, por jo edhe tek ne. Ka efekte të shumta negative, nga sipërfaqësimi kulturor deri te humbja e kohës produktive, efektet psikologjike, familjare etj. TV-të duhet të kenë kujdes në këtë drejtim, të sillen në mënyrë më idealiste, të ofrojnë kulturë të mirëfilltë”, tha Pajaziti, për Almakos.
Pajaziti shton se edicionet e lajmeve dhe emisionet mbi ngjarjet e biznesit dhe politikës zënë një vend të madh të transmetimit.
“Unë personalisht një TV-je prestigjioze i pata propozuar një shirit disa minutësh për botimet e reja, por hasa në veshë të shurdhër, pikërisht për shkak të jo komercializmit të një kuadri të tillë. Ekrani televiziv edhe kulturizon, por edhe shkulturizon, varësisht se si ai shfrytëzohet. Ka edhe TV që mundohen të ruajnë nivelin me veprimtarë kulturore si udhëheqës emisionesh, por ama biznes-emisionet, shendi dhe nënkultura televizive janë dominante”, thotë Pajaziti, për Almakos
Sipas statistikave të fund vitit thuhe se mbi gjashtë mijë orë transmetohen lajme, po aq edhe reklama, ndërsa sa i takon kulturës i bie që mesatarisht një televizion të transmetojë vetëm 100 orë program kulturor në vit. Ndryshe ndodh me kategorinë e programit argëtues, që ngjitet më lart në listë sipas orëve të transmetimit. Sipas të dhënave zyrtare prej disa vitesh përqindja e transmetimit të filmave dhe seriale përbën rreth 25 për qind të programit të përgjithshëm për televizionet që transmetojnë në nivel nacional. Ndërsa, tek mediat që transmetojnë në nivel rajonal, gjithsej 24, ashtu edhe ato në nivel lokal, numri i orëve të transmetuara është akoma edhe më i madh. Përveç filmave, me shumë mund të ndjekësh program religjioz apo sportiv, sesa kulturor dhe edukativ. Ajo që i dallon nga ato në nivel shtetëror janë orët e transmetimit të programeve sportive, tre herë më shumë. Më pak transmetojnë emisione informative dhe dy herë më shumë emisione religjioze. Edhe orët e transmetimit të programit propagandues, reklamave është më i madh sesa tek ato në nivel shtetëror. Ndryshimin gjatë vitit të kaluar tek orët e transmetimit mund ta hasësh vetëm tek televizioni publik, i cili në përqindjen më të madhe të transmetimit rendit programin edukativ-shkencor, për dallim nga vitet e kaluara, ku pjesa më e madhe e transmetimit ishin filmat.
Aktiviteti radiodifuziv numëron në total 113 subjekte, 59 prej të cilëve emitojnë program radiofonik, ndërsa 54 të tjera program televiziv. Krahas Radiotelevizionit publik, 55 janë të regjistruara si shoqëri radiodifuzive, ndërsa tre të tjera si institucione joprofitabile radiodifuzive. Gjatë një viti numri i orëve të emetuara nga Radiotelevizioni publik në total është 38 mijë, ku më shumë se gjysma, ose 60 për qind e transmetimit është program muzikor. Nga Radio Televizioni publike janë transmetuar mbi 18 orë program televiziv, prej të cilave në gjuhën shqipe janë numërohen më pak se pesë mijë orë program. Ndërsa programi radiofonik ka transmetuar mbi 15 mijë orë program, ku mbi tre mijë janë në gjuhën shqipe. Sa i takon transmetimeve televizive nga mediat në nivel shtetëror dhe lokal orët e transmetimit në gjuhën shqipe përbëjnë rreth 19 për qind të emetimeve të përgjithshme nga mediat në nivel shtetëror dhe nga mediat lokale është më i vogël, rreth 14 për qind.
/Almakos.com
D.Kërluku