Sot është Dita ndërkombëtare e mjedisit dhe u caktua në vitin 1972 nga Asambleja e përgjithshme e OKB-së, me qëllim për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim.
Vetëdijësimi i njerëzve në këtë sferë është tejet i nevojshëm përderisa në vendin tonë hasim probleme të mëdha të ekologjisë, kështu u shpreh Elmedina Abdullai kryetare e organizatës ”Nëna dhe Fëmija”. Ajo tha, se Qeveria pretendon se ka projekte rreth këtij drejtimi, mirëpo rezultatet nuk tregojnë se janë projekte të duhura.
“Qeveria pretendon se ka projekte për vetëdijësimin e popullatës, në mjedisin jetësorë, mirëpo rezultatet e deritanishme tregojnë që ata nuk janë të mjaftueshme dhe të duhura, ose nuk arrijnë informatat tek personat e duhur. Vetëdijësimi i njerëzve në këtë fushë është tejet i nevojshëm, i domosdoshëm tani kur ne kemi një problem të madh të ekologjisë në shtetin tonë” u shpreh Abdullai për Almakos.
Abdullai potencoi se duhet të realizohen projekte të shumta pikërisht për ngritjen e vetëdijes tek shoqëria jonë sepse ata jenë faktorë të rëndësishëm në ndryshimin e gjendjes.
Ajo shtoi se gjendja kaotike e politikës në vend ka ndikuar në projektet e kësaj organizate, mirëpo pas stabilizimit të gjendjes ata do të jenë aktiv në projektet e tyre të radhës, meqë e shohin si një obligim ndaj shoqërisë, fëmijëve, prindërve por edhe ndaj vetvetes, shton Abdullai.
Ndërkaq, Arianit Xhaferi nga OJQ Eko Guerilla, deklaroi për Almakos se gjatë fushatës parazgjedhore , premtimet e partive që tash përbëjnë qeverinë e re kanë qenë të ndërlidhura me një angazhim më të lartë ndaj kujdesit të mjedisit, dhe ne presim që mjedisi të ketë më shumë përkushtim.
“Ne presim që qeveria e re ti jep mjedisit një pozitë më të lartë në agjendën politike dhe konkretisht presim që të mos rihapet Jugohromi pa vendosjen e plote të filtrave, që të gjenden zgjidhje edhe për ndotësit tjerë gjigande, sidomos në Manastir dhe Kërcovë, krijimin e qendrave moderne të reciklimit të mbeturinave, kujdes më të madh për pyjet, zhvillim transparent dhe gjithpërfshirës të strategjive për zhvillim të qëndrueshëm, si dhe qytetaret të kenë qasje të plotë tek informacioni dhe drejtësia sa i përket çështjeve mjedisore” theksoi Xhaferi për Almakos.
Ndër të tjera ai shtoi se shoqeria nuk kujdeset mjaftueshëm për mjedisin dhe mosfunksionimi i shtetit ligjor sanksionon dukuri të shëmtuara.
“Plehrat në lumej i hedhim ne, nuk i hedhin autoritetet. Ambalazhet e ushqimeve dhe kutite e cigareve i hedhim ne në rruge, jo shteti. Pyjet njësoj i demtojme ne… Dhe kjo ndodh shkaku i mosfunksiomit të shtetit ligjor i cili do duhej të sanksiononte dukuri të këtilla të shëmtuara”.
Xhaferi më tej shtoi se organizata Eko Guerllia vazhdimisht punon në krijimin e një kulture të përgjithshme mjedisore qoftë përmes presionit politik e publik apo edhe përmes mekanizmave të tjera që ka në dispozicion. Mes tjerash ai potencoi se kanë organizuar shumë protesta dhe aktivitete kundër ndotjes së ajrit, me çka erdhi deri tek vendimi që Ministria e Mjedisit ta mbyllë Jugohromin, por mungesa e reagimit adekuat nga Komuna e Tetoves ngelet për tu ndëshkuar.
Dita Botërore e Mjedisit festohet çdo vit, duke u organizuar aktivitete të ndryshme në kuadër të mbrojtjes së mjedisit. Këtë vitë zyra e UN Environment në Shkup në bashkëpunim me Shoqatën ekologjike të Maqedonisë dhe Qendrën për edukim dhe zhvillim nga Tetova, sot(5 qershor) shënuan Ditën botërore të mjedisit jetësor me një sërë aktivitetesh në Tetovë dhe Shkup.
/Almakos.com
Haxhere Fejzulla