Prokuroria Speciale ka një vit e gjysmë që ka nisur fushatën për luftimin e krimit dhe korrupsionit por asesi nuk po arrin që të dërgojë prapa grilave ndonjë funksionar të akuzuar për vepra kriminale ose korruptive, raporton SHENJA.
Propozimet e Speciales për paraburgim dhe ngrirje të pasurisë po kthehen prapa nga Gjykata. Për këto 18 muaj punë, Specialja vetëm ka humbur nga afatet e parapara për ngritjen e akuzave dhe ka stopuar përkohësisht dëgjimin edhe të gjysmës së mbetur të “bombave” ku mund të ketë edhe shumë materiale për krim dhe korrupsion. Aktualisht në zhvillim janë afro 70 procedura parahetimore për përgjimin e paligjshëm, për fushatën e paligjshme, keqpërdorime tenderësh, evazion fiskal, pastrim parash e të tjerë. Për këto vepra hetohen mbi 120 persona që mund të kenë bërë edhe më shumë vepra penale.
20 rastet e publikuara deri më tani kishin të bëjnë kryesisht me krimin financiar dhe prej tyre vetëm për 4 lëndë është ngritur aktakuzë. Nuk ka pasur deri më tani asnjë vendim për ngrirje të pasurisë ose paraburgim të ndonjë zyrtari të lartë. Nuk ka pasur as lëndë që prekin direkt funksionarë të lartë shqiptar ose qytetar shqiptar të prekur nga drejtësia selektive në rastet “Monstra”, “Sopoti”, “Brodeci”, “Lagja e Trimave” e të tjerë.
Kjo ngecje si duket do të zgjidhej me instalimin e Prokurorisë Speciale në atë të rregullt publike, duke shkarkuar Marko Zvrlevskin dhe disa prokuror të tjerë që mund të kenë bërë shkelje ligjore. Përkundër Prokurorisë së Maqedonisë, Rumania tashmë ka krijuar praktikë të mirëfillë të përndjekjes dhe sanksionimit të zyrtarëve të pandërgjegjshëm. Prokuroria Speciale Rumune në krye me Laura Kodruta Koveshin, ka dërguar prapa grilave afro 5 mijë persona, prej të cilëve edhe një kryeministër. Në mesin e gjithsej 1250 të akuzuarve është një gjykatës i Gjykatës Kushtetuese, ekzistojnë drejtor firmash, deputetë, kryetarë komunash dhe drejtor kompanish shtetërore.
Në targetin e Prokurorisë Speciale Rumune viteve të fundit kanë qenë deputetët dhe senatorët pasi 21 prej tyre është kërkuar që t’u hiqet imuniteti dhe të dërgohen në paraburgim. Është kërkuar edhe konfiskim i një prone të madhe të funksionarëve në vlerë mbi 500 milion euro, para këto që nëse merren i transferohen buxhetit të Speciales, shkruan SHENJA.
Prokuroria Speciale Rumune është e veçantë nga sistemi gjyqësor i rregullt rumun. E ka buxhetin e veçantë dhe policinë personale. Rumania ka 22 milionë banorë dhe interesin e tyre e ruajnë vetëm 195 prokurorë special, 70 ekspertë dhe 100 persona profesionistë. Prokuroria Speciale e Rumanisë për këto 10 vjet ekzistencë, ka hapur mbi 11 mijë lëndë.
Për dallim prej Prokurorisë Speciale Rumune, Prokuroria Speciale e Maqedonisë disponon me 12 prokuror që punojnë me Katica Janevën. Por, gjithsej janë 117 prokuror dhe hetues të ndryshëm që marrin pjesë në hetime, dhe ka edhe 25 policë hetues. Buxheti i Speciales është afro 4 milionë euro.
Prokuroria Speciale e Maqedonisë është formuar sipas mostrës së asaj rumune, por koha do të tregojë nëse puna e Speciales së Maqedonisë do të korr sukses sikurse ajo e prokurorisë rumune.
Ferikan Iljazi