Shkup 3 Qershor –
Gjendja ekonomie e dobët për shumë shtetas të Maqedonisë, ka ndikuar që një numër i madh i banorëve, nga shumë qytete e fshatra, të largohen në vende të ndryshme të Bashkimit Europian për të kërkuar azil, për një jetë më të mirë. Sipas Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptar në Maqedoni, thuhet se nxënësit heqin dorë nga shkollat tona, dhe kjo dukuri është më e shfaqur në fshatra, por nuk përjashtohen dhe shumë qytete brenda shtetit. “Sa i përket shpërnguljes së nxënësve, ky fenomen është më i shprehur në pjesët rurale, sidomos nga Likova, komunën e Tetovës, Gostivarit, Dibrës, etj. Ndërsa, nga Shkupi është më pak në dukje reduktimi i nxënësve. Vetëm në Komunën e Çairit, për vitin shkollor 2016/2017 është rrit numri i nxënësve, për 284 nxënës, faktikisht për 252 nxënës, sepse 32 janë për komunitetin turk. Ky komunitet vjen nga Koliçani në shkollën e Çairit. Mirëpo, shifra e rritjes në këtë komunë, nuk do të thotë që është e ngjajshme edhe me komunat e tjera, sepse në asnjë komunë tjetër nuk ka rritje të numrit të nxënësve, kjo si rezultat i mbipopullimit në këtë komunë. Ndërsa, në pjesët tjera shpërngulja e nxënësve vjen përshkak të kushteve të vështira ekonomike, kështu që detyrohen që bashkë me prindërit e tyre të migrojnë jashtë shtetit, ku edhe punësohen në shtetet Evropiane”, thotë Nuhi Dardhishta i LASHM-së, për Almakos.
Ai shton se kjo vjen edhe dhe nga rënia e numrit të lindjeve në vitet e fundit. Rënia e lindjeve është bërë e ditur edhe nga statistikat e ESHS-së , vit pas viti, gjë e cila ka pasur ndjeshmëri edhe në shkollat tona. Dhe se rënia e numrit të nxënësve në RM është më e dukur te komuniteti maqedon, por nuk përjashtohet edhe komuniteti rom. Ndërsa, Fadil Lushi, që ka ushtruar udhëheqësin e Njësisë ndërkomunale të Byrosë për Zhvillimin e Arsimit për Tetovë, Gostivar dhe Dibër, jep disa sqarime mbi rënien e numrit të nxënësve në shkollat tona. “Kemi rënie të numrit të nxënësve dhe atë rënia e numrit të nxënësve është rapide dhe kjo, vërtetohet në çdo fillim vit shkollor, si rezultat i natalitetit të ulët, shpërnguljes së familjeve, planifikimit të familjes për të mirat e veta dhe faktorë tjerë”, tha Lushi, për Almakos.
Të dhënat e Entit shtetëror të Statistikave tregojnë se në 988 shkolla fillore, të cilët hapën vitin shkollor 2015/2016 numri i nxënësve është 187992, gjithsej. Pas përfundimit të atij viti shkollor 185119 nxënës, ose 2873 nxënës më pak. Të dhënat e ESHS-së, për shkollat e mesme flasin për braktisje, të një numri të madh të nxënësve. Arsyet janë të ndryshme, por flitet për shumë familje që largohen jashtë shtetit, për një jetë më të mirë, por edhe për shkak të numrit të madh të mungesave të paarsyeshme, që raportojnë shkollat. Në 117 shkollat e mesme, të vitit paraprak kishte 80295 nxënës. Ndërsa, në përfundim të vitit shkollorë të vitit 2016 janë regjistruar 77625 nxënës, ku edhe del mungesa e shumë nxënësve, e cila arrin 2670 nxënës e kanë braktisur shkollën e mesme ose 3.3 përqind. Të dhënat theksojnë se përqindja është dyfish më e madhe në arsimin e mesëm, krahasuar me nxënësit në arsimin fillor, mirëpo, arsimi fillor përfshin nëntë vite shkollimi, ndërsa arsimi i mesëm katër vite maksimalisht.
Në arsimin fillor është ulur për 88 më pak numri i paraleleve ose konkretisht nga 10709 paralele në fillim të vitit 2015/2016, ndërsa në përfundim të po këtij viti ishin 10621 paralele. Në arsimin e mesëm vetëm 3 paralele ose nga 3497 paralele, numri i tyre shkoi në 3494 në përfundim të vitit shkollor. Brenda këtij intervali kohor numri i nxënësve ka zbritur për 2670. Sipas parafolësve thuhet se për arsimin në përgjithësi rënia e numrit të nxënësve patjetër që është një alarm që duhet marrë parasysh. Fëmijët që largohen, pjesa më e madhe nuk kthehen më në shkollat tona. Ky është një problem shumë serioz.
Emigrimi dhe numri në rënie i lindjeve kanë bërë që gradualisht shkollat 9 vjeçare në Maqedoni pothuajse të boshatisen.
/D. Kërluku
Almakos.com