Testimi ekstern, që tashmë i takon të kaluarës jo që nuk përmirësoi cilësinë në arsim por e dëmtoi atë, vlerësojnë ekspertët. Profesori Avzi Mustafa dhe ish ministri i arsimit, Nenad Novkovski sqarojnë se testimi ekstern kishte aq shumë mangësi, sa nuk mund të tolerohej më.
Testi ekstern ka vetëm një qëllim kryesor, që të testojë vetëm njohuritë, gjegjësisht faktografitë që nxënësit duhet t’i mbajnë në mend, rregullat, formulat e jo atë anën tjetër ku mësimi ka edhe aftësimin e nxënësve, të aftësive, shprehive të tjera. Gjithashtu duhet të shikohet të menduarit kritik të nxënësit, që i është marrë kjo e drejtë nxënësit. Nga ana tjetër gjithashtu pati edhe probleme tjera që kanë të bëjnë me natyrën e përgatitjes së testit ekstern, ku ka gabime të natyrave të ndryshme duke filluar prej atyre gabimeve teknike, gabime gjuhësore si dhe gabime logjike – tha Avzi Mustafa, profesor.
U udhëhoqën disa aktivitete që me dokumente ndërkombëtare rreptësishtë ndalohen dhe janë të papranueshme, siç janë: sanksionimi i nxënësve, mësimdhënësve, shkollës mbi bazë të vlerësimit ekstern, vendosje të notave në dëftesa, rangim të shkollave. Prandaj sistemi iku në drejtim krejtësisht të kundërt dhe në vend se ta përmirësojë cilësinë, ai filloi të merret me kryerje të presionit mbi faktorët në procesin arsimor dhe si i tillë është i papranueshëm të ekzistojë më tutje – u shpreh Nenad Novkovski, ish Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Sipas Mustafës dhe Novkovskit, departizimi është reforma më e mirë e mundshme që do ta rrisë cilësinë e arsimit.
Duhet të ketë sa më pak përzierje nga ana e faktorëve politik, duhet sa më shumë t’i lihet puna profesionistëve të arsimit, atëherë do të ketë cilësi – u shpreh Nenad Novkovski, ish Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Në procesin edukativo-arsimor të vijnë arsimtarë të cilët me të vërtetë janë arsimtarë, por jo me direktiva partiake – theksoi Avzi Mustafa, profesor.
Mustafa porosit Ministrinë e Arsimit të ofrojë bursa për studentët që do të regjistrohen në profile arsmiore, në mënyrë që të rritet cilësia e arsimtarëve, kurse ligjvënësve iu apelon që asnjëherë më të mos miratojnë ligje me procedurë të shkurtuar dhe pa u konsultuar me ekspertë të arsimit.
Anesa Aliti