02 June
Lista e policëve të suspenduar mbi ngjarjet e 27 prillit do të rritet, mëson jo zyrtarisht Alsat M. Deri tani me hetimin e kontrollit të brendshëm janë suspenduar 24 policë dhe kundër 31 tjerëve janë iniciuar masa disiplinore. Midis tyre janë agjentë të policisë sekrete, pjesëtarë të Njësisë për intervenim të shpejtë dhe policë në pozita të larta. Tani për tani nuk ka polic të suspenduar që ka qenë pjesë e shtabit operativ, i cili nën udhëheqjen e drejtorit të Byrosë për siguri Publike, Mitko Çavkov, lejoi dhunuesit të rrahin deputetë. Nga MPB-ja shpjegojnë se procesi i përcaktimit të përgjegjësisë së individëve në polici për hyrjen me dhunë në Kuvend nuk ka përfunduar. Hetimi vijon dhe përcaktohet roli i të gjithë policëve që më 27 prillin e “përgjakshëm” ishin në Kuvend dhe vëzhgonin pasivisht si hynin dhunuesit. Ministri i ri i brendshëm, Oliver Spasovski ende nuk e ka marrë raportin e grupit të punës që hetoi nëse shtabi operativ në Ministrinë e Brendshme ka shkelur procedurat më 27 prill. Hetimi duhet të japë përgjigje pse sistemi “Tetra” për regjistrim të urdhrave në Ministrinë e Brendshme nuk ka punuar që nga viti 2014, i cili u realizua me 5 milionë euro nga BE-ja. Për Incidentet e 27 prillit, rolin kryesor në zbulimin se kush e ka organizuar hyrjen e dhunshme në Parlament tani do ta ketë Prokuroria për krim të organizuar. Prokuroria e rregullt ka njohur veprim të koordinuar. Me këto elemente, shtatë deputetët nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni do të merren në pyetje në Prokurorinë për krim të organizuar, pasi policia ka konstatuar se Kërsto Mukoski dhe Sasho Vasilevski kanë hapur dyert e Parlamentit dhe deputetët tjerë orientojnë protestuesit se si më shpejtë të arrijnë në sallën e konferencave. Sot reagoi VMRO-DPMNE-ja opozitare.
Prokuroria publike të mos dorëzohet para presionit dhe të respektojë ligjin, të veprojë profesionalisht dhe në mënyrë të paanshme. Prokuroria nuk guxon të shndërrohet në sektor të LSD-së për drejtimin e fushatave politike. Pushteti nuk është dhënë njëherë e përgjithmonë, dhe për çdo tejkalim të autorizimeve dhe ligjeve do të ketë përgjegjësi – deklaroi Nevenka Stamenkovska, VMRO-DPMNE.
Deri më tani për “të enjten e përgjakshme” ka vetëm nëntë dënime me kusht. Dy persona dyshohen për “vrasje në tentativë”, pas rrahjes brutale të deputetit Zijadin Sela.
Bojan Stojanovski