01.06.2017
Sulmet verbale mes partive politike dhe politikanëve, tërheqin shumë më tepër vëmendjen e qytetarëve të Maqedonisë, se sa problemet sociale të cilat prekin drejtpërdrejtë jetët e tyre.
Nëse lloji i parë i lajmit lexohet 7000 herë, ky i dyti lexohet nga pesë mijë individë më pak.
Ky fakt nuk e habit sociologun Sunaj Raimi. Siç thotë ai, kjo gjëndje i ka rrënjët që në kohën e pavarësisë së Republikës së Maqedonisë. Është krijuar përshtypja në shoqëri se politika është rruga drejt një kulete më të fryrë, edhe pse, sipas tij, këta njerëz para se të merren me politikë s’kanë bërë asgjë me jetën e tyre.
”Kultivimi i pseudoglorifikimit politik dhe inferioritetit partiak ka prodhuar një mentalitet te impotences racionale, e cila kumton se njerëzit që nuk janë në rrjedhë me ngjarjet politike, nuk mund të jetojnë mirë, e as të bëhën të lumtur!”-përmbyll sociologu Sunaj Raimi.
Ndërsa, sipas gazetarit Xhelal Neziri, kjo ndodh sepse politika vendos prej te orientimet strategjike të shtetit e deri te punësimi i rojes së shkollës.
“Politika është temë kryesore në demokracitë e pakonsoliduara dhe në vendet e varfëra. Atje ku rroga mesatare është 300 euro, temë kryesore është politika, kurse atje ku është rroga 2000 euro, temë kyçe janë kauzat e vogla, si mbrojtja e ambientit jetësor, të drejtat e kafshëve etj”- tha Neziri.
Megjithatë, cfarë thonë vet qytetarët për këtë çështje?
“Krejt punët e këqia i ka bërë politika. Nëse merresh me biznes, po fole keq t’i dërgon inspektorët, po qe se je kundër, të bllokon nga të gjitha anët. E ku mos me fol për politikë”-thotë një qytetar nga Tetova.
“ Interesohemi për politikë?! Epo, po t’i bënin politikanët punët e veta si duhet, do kishim më pak probleme, edhe s’do kishim arsye të merremi me ata”- shprehet për Almakos.com, një banorë i Shkupit.
E pas gjithë komenteve e analizave amatore të qytetarëve, bisedat përmbyllen me: “Ishalla bëhet mirë”.
/Almakos.com
Evi Shkopi